MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Nga informacioni për çështjen McGonigal, çfarë beson më shumë elektorati aktiv?

15.02.2023 - 11:21

Charles McGonigal u arrestua më 21 janar me akuzën se, pasi doli në pension, ka punuar ilegalisht për oligarkun rus Oleg Deripaska, i shpallur persona non grata nga Departamenti i Shtetit dhe i sanksionuar financiarisht nga Thesari i Shtetit Amerikan. Ai u lirua me garanci pasurore 500 mijë dollarë deri në zhvillimin e gjyqit në Nju Jork, ndërkohë që u padit edhe në një gjykatë federale në Uashington (por u lirua pa patur nevojë të paguajë garaci pasurore), për marrjen e 225 mijë dollarëve prej shqiptaro-amerikanit Agron Neza, pas disa takimeve të padeklaruara me Edi Rramën gjatë kohës që kishte qenë shef i kundërzbulimit të degës njujorkeze të FBI-së.

Nga një analizë e hollësishme e të gjitha lajmeve/analizave/opinioneve të publikuara në shqip në portale të televizioneve e të gazetave, apo në portale të palidhura me to, më rezultoi se rreth 60% e informacionit e trajton si më të rëndësishme akuzën e parë (atë për kohën pasi McGonigal kishte dalë në pension dhe ishte lidhur me rusin Oleg Deripaska). Ndërsa akuzën e dytë (atë për kohën kur ishte shef i kundërzbulimit të degës njujorkeze të FBI-së dhe ishte lidhur me Nezën, Ramën, etj.), e konsideron si çështje dytësore, pa ndonjë rëndësi të madhe kombëtare apo ndërkombëtare.

E kundërta ka ndodhur me pjesën tjetër të lajmeve/analizave/opinioneve të publikuara në shqip në portale të televizioneve e të gazetave, apo në portale të palidhura me to (rreth 40%). Për këtë grup të dytë informacioni, parësore është akuza për marrjen e 225 mijë dollarëve prej shqiptaro-amerikanit Agron Neza, pas disa takimeve të padeklaruara me Edi Rramën gjatë kohës që kishte qenë shef i kundërzbulimit të degës njujorkeze të FBI-së. Kjo trajtohet në këtë informacion si një nga çështjet më të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare të ditës.

Ndoshta nuk është rastësi që nga një sondazh kombëtar që zhvillova javën e shkuar, më rezultoi se rreth 60% e elektoratit që kishte votuar në zgjedhjet e prillit 2021 mendonte se çështja McGonigal është ekzagjeruar nga mediat, opozita, ose nga të dyja së bashku. Vetëm 40% e elektoratit që kishte votuar në zgjedhjet e prillit 2021 mendonte se çështja McGonigal nuk është ekzagjeruar fare.

Duket se 3/5 e elektoratit aktiv në Shqipëri i beson më shumë llojit të parë të informacionit për çështjen McGonigal, dhe vetëm 2/5 i beson llojit të dytë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN