MENU
klinika

“Shuhen” mbi 12 mijë biznese në vend

Pandemia apo kriza, kush e goditi më shumë sipërmarrjen?

09.02.2023 - 14:06

Gjatë vitit 2022, një numër shumë i lartë biznesesh janë “shuar”, duke ndërprerë veprimtarinë e tyre ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të përpunuara nga SCAN TV, përgjatë periudhës Janar-Dhjetor 2022, regjistrohen në total 12.433 subjekte, të cilat kanë kaluar në status pasiv.

Por nëse do të bëjmë një analizë bazuar në shifra nëse ndikim më të lartë në nxjerrjen nga tregu të shumë subjekte ka pasur pandemia apo kriza e çmimeve, rezulton se inflacioni dhe kostot e rritura duket se kanë shkaktuar goditjen më të madhe.

Konkretisht, në vitin 2019 rezultojnë 7049 biznese të cilat kanë kaluar në status pasiv, në vitin 2020 kur ishte edhe kulmi i pandemisë shifra është në rënie, e fiksuar në 6292 subjekte pasive, ndërkohë që ka ndjekur një trend rritës në 2021 me 8701 subjekte, duke njohur kapërcim shumë të lartë përgjatë vitit 2022, ku numri i bizneseve të kaluar në status pasiv arrin në 12.433. Rritja në raport me vitin 2021, rezulton në 42.8 për qind. Ndërsa nga nisja e këtij vitit deri më tani, kanë dalë nga tregu 1981 biznese të tjera.

E ndarë sipas Drejtorive Rajonale, vihet re se përgjatë vitit 2022 dhe deri më tani, Tirana zë vendin e parë për numrin e subjekteve të transferuara nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, me 5717 të tilla. Lista vijon kryesisht me qarqet e mëdha, si Durrësi Vlora, Shkodra, Fieri, ndërsa bie në sy Saranda, që edhe pse një qytet i vogël regjistron shifër të lartë. Ndërsa me më pak subjekte rezulton Dibra dhe Kukësi, të cilat konsiderohen edhe si qarqe me zhvillim të pakët ekonomik.

Sipas legjislacionit në fuqi, një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; apo deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore. Në regjistër janë të pasqyruara të gjitha bizneset që nga viti 1991 e më tej, që kanë marrë status pasiv.

Numri total i subjekteve të listuara aktualisht arrin në rreth 145 mijë. Qëllimi i publikimit të kësaj liste është që të vihen në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv. “Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj”.