MENU
klinika

"Qeveria e do vendin pa rini"

Pedagogët rikthejnë protestat: S’na është plotësuar asnjë kërkesë!

15.02.2023 - 10:55

Asnjë hap në drejtim të përmbushjes së kërkesave të pedagogëve. U desh të shuheshin zërat e tyre që ministria përgjegjëse të lërë në harresë gjithë çfarë u tha e u kërkua me insistim për disa javë rresht.

Nga shtesa reale e pagave, paga për vjetërsinë, njohja dhe kompensimi për dëmshmërinë në punë, rivlerësimi i orëve mësimore e deri te gradat shkencore e implementimi i kapitujve të ligjit të arsimit të lartë që penalizojnë arsimin publik. Të gjitha këto, MAS i ka lënë në harresë, por profesorati jo. Ata rindezën dje protestat për një universitet më cilësor dhe paralajmëruan një tubim pas një jave përpara Universitetit Politeknik të Tiranës. Sindikata duket se ka hequr dorë nga bojkoti i sezonit të provimeve, duke kërkuar rrugë paqësore për përmbushjen e kërkesave dhe jo ato drastike.

DEKLARATA
Me organizimin e protestave disajavore, sindikata thotë se qeveria ka shembur të gjitha urat e komunikimit me ta, duke treguar një kryeneçësi, prepotencë dhe ndërhyrë në punët universitare.

“Mungesa apo shkëputja e urave të komunikimit dhe informimit ndërmjet qeverisë dhe profesoriatit, është shembulli më i keq për të treguar hegjemoninë e makinerisë së pushtetit ndaj grupimeve më genuine të shoqërisë. Deklaratat dhe qëndrimet e qeverisë për të mos mbështetur financiarisht arsimin e lartë, në lidhje me rritjen e pagave dhe fondit për kërkimin shkencor, dëshmon mungesën e njohjes, por dhe ndjeshmërisë së pushteteve ndaj asaj që po ndodh në universitete dhe në gjithë shoqërinë tonë. Jo pa indinjatë po sjellim përsëri në vëmendjen tuaj kërkesat e peticionit dhe heshtjen provokuese ndaj tyre, por dhe qëndrimin tonë unanim ndaj prepotencës së kabinetit qeverisës në disa ndërhyrje në vendime ndaj IAL”, deklaroi kreu i Sindikatës së Punonjësve në Universitete, Sandër Kovaçi, dje në protestën e rindezur ndaj indiferencës së qeverisë në përmbushje të kërkesave të pedagogëve.

SPUSH i ka lënë gjithë kohën e duhur ministrisë që të marrë seriozisht kërkesat e tyre, por ata thonë se nuk ka pasur asnjë lëvizje në këtë drejtim, duke i përmbledhur në një tabelë (për bri shkrimit, kërkesat fillestare dhe niveli i zbatimit të tyre). Përpos MAS, edhe qeveria e Kuvendi kanë qenë në sinkron me të. “Përfaqësuesit e qeverisë apo dhe kuvendit, si nën të njëjtën komandë, kanë shfaqur mungesë totale të ndjeshmërisë në vlerësimin dhe angazhimin e tyre për të dialoguar dhe bashkëpunuar, që ashtu së bashku ta mbrojmë këtë hallkë të rëndësishme të tempullit të dijes”, sjell në vëmendje sindikata duke shtuar më tej se kërkesat e tyre janë përballur me heshtje, përgjigje demagogjike apo angazhime minimaliste.

“QEVERIA S’I DO STUDENTET”
Në fjalën e tij për mediat, Kovaçi tha se universitetet po kthehen në pronë private, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk do që studentët të jenë të suksesshëm në rrugën e tyre. Kreu i kësaj sindikate tha se baza e protestës janë kërkesat e peticionit të firmosur nga pedagogët. “Kjo VKM sjell asgjësimin e themeleve, mbi të cilat ngrihen universitetet publike dhe i kthen ata në pronë private. Kjo do të sjellë mbylljen e universiteteve në rrethe që do të sjellë shpopullimin, përqendrimi i programeve në Tiranë është një tjetër shqetësim, përfaqësues të qeverisë apo të kuvendit secili prej kolegëve nënshkrues të peticionit e dimë që ekziston gjithmonë një zgjidhje për problemet. Nëse do të kishte një vullnet të mirë kërkesat do të ishin miratuar. Qëllimi është që studentët tanë të bëhen të suksesshëm në rrugët e jetës. Qeveria po dëshmon se nuk i do studentët e me sa po duket, e do këtë vend dhe pa fare rini”. Nisur nga kjo, kreu i sindikatës bëri thirrje për zhvillimin e një tubimi kombëtar universitar, të mërkurën e javës që vjen, në 22 shkurt, ora 12:00 pranë universitetit Politeknik. Si çdo herë tjetër, Kovaçi kërko mbështetjen e profesoratit, stafit ndihmës akademik dhe ndihmës administrativ, studentëve e më gjerë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Sandër Kovaçi: Qeveria nuk i do studentët

Sindikata e pedagogëve njofton protestën e radhës