MENU
klinika

"Shkelje serioze të praktikave ndërkombëtare"

Pentagoni rrëzoi balonën kineze, Pekini paralajmëron pasoja

05.02.2023 - 20:59

Ushtria amerikane rrëzoi dje balonën kineze, e cila dyshohej se shfrytëzohej nga Pekini për përgjim.

Ajo u godit teksa po fluturonte mbi brigjet e Karolinës së Jugut. Balona spiune fluturoi për disa ditë, mbi objekte të ndjeshme ushtarake, në të gjithë Amerikën e Veriut. Pas rrëzimi të balonës, Pekini reagoi Kina duke paralajmëruar për pasoja, të cilat nuk i specifikoi.
Pentagoni goditi dhe rrëzoi me raketë balonën kineze e cila siç thanë zyrtarët amerikanë fluturoi mbi disa objekte të rëndësishme ushtarake në vend.

Pas operacionit Presidenti Joe Biden tha se ishte ai që kishte dhënë urdhrin për rrëzimin e saj.
Ai shtoi se kishte kërkuar rrëzimin e saj edhe më herët, por siç tha zoti Biden, ekspertët e sigurisë kombëtare, kishin vlerësuan se koha e duhur për të kryer një operacion të tillë ishte kur objekti fluturues të kalonte mbi oqean.

“Urdhërova Pentagonin ta rrëzojë atë që të mërkurën dhe sa më shpejt të ishte e mundur. Por ushtria vendosi që të shmangë çdo dëm të mundshëm në tokë. Vlerësuan se koha më e mirë për ta bërë këtë ishte kur ajo të fluturonte mbi ujë. Tashmë ajo u rrëzua me sukses”, tha Presidendi Biden, pas operacionit për rrëzimin e balonës.

Kina kritikoi Shtetet e Bashkuara dhe e quajti rrëzimin e balonës një reagim të tepruar e shkelje serioze të praktikave ndërkombëtare.

Në deklaratën e saj të së dielës, ministria e Jashtme kineze shprehej se “Pekini do të mbështesë me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të kompanisë përkatëse dhe se gëzon të drejtën të ndërmarrë veprime të tjera në përgjigje të reagimit amerikan”.

Prania e balonës në hapësirën ajrore amerikane i dha një goditje të rëndë marrëdhënieve tashmë të tensionuara SHBA-Kinë.

Ky incident u bë shkak që Sekretari amerikan të Shtetit Antony Blinken të anulonte një udhëtim të rëndësishëm në Pekin, që synonte pikërisht uljen e tensioneve mes dy vendeve.

Balona e cila kishte madhësinë e tre autobusëve shkollorë, u pa mëngjesin e së shtunës tek lëvizte mbi Karolinën e Veriut dhe atë të Jugut. Ajo u godit dhe rrëzua po fluturonte në brigjet e Atlantikut.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes tha se një avion luftarak F-22 e qëlloi atë me raketë, ndërsa ndodhej rreth 10 kilometra larg vijës bregdetare të Myrtle Beach në Karolinën e Jugut.

Zyrtarët thanë se largimi i mbetjeve të balonës nuk do të marrë shumë kohë.

Autoritetet amerikane thanë dje se balona hyri në zonën e mbrojtjes ajrore të Shteteve të Bashkuara në veri të ishujve Aleutian më 28 janar dhe lëvizi kryesisht mbi Alaskë para se të kalonte në hapësirën ajrore kanadeze të hënën.

Balona u pa të mërkurën mbi shtetin Montana, strehë e bazës së forcave ajrore Malmstrom dhe dhjetëra raketave bërthamore.

Por sipas vlerësimeve amerikane teknologjia e balonës nuk i dha Kinës më shumë të dhëna krahasuar me ato që merr përmes satelitëve.

Republikanët kritikuan përgjigjen e Presidentit Biden.

Senatori nga Misisipi Roger Wicker tha se lejimi i një balonë spiune të Partisë Komuniste të Kinës të fluturojë në gjithë Shtetet e Bashkuara, është një tregues katastrofik i dobësisë së Shtëpisë së Bardhë”.

Të dielën Pentagoni pohoi njoftimet se një balonë e dytë kineze që me gjasë po përdoret për përgjim, është zbuluar në Amerikën Latine./VOA