Ulian Shpataraku, me detyrë shef seksioni i Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Elbasan, është pezulluar nga detyra nga drejtoria Rajonale e AMP-së Elbasan-Korçë. AMP-ja Elbasan-Korçë ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për pezullimin nga detyra të Ulian Shpatarkut.
Pezullimi i 38- vjeçarit, punonjës policie, është bërë në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, ndjekur nga AMP Elbasan nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit. Ulian Shpataraku u pezullua nga detyra pasi shpërdori detyrën, pas shoqërimit në komisariat të Endri Filjas, e me pas lënies të lirë të tij, pavarësisht se ishte i shpallur në kërkim nga Policia.
“Drejtoria Rajonale e AMP Elbasan-Korçë ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit Durrës dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë U.Sh., me detyrë shef Seksioni i Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Elbasan. Pezullimi i 38-vjeçarit, punonjës policie, është bërë në kuadër të një procedimi penal të vitit 2022, ndjekur nga AMP Elbasan nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit. Oficeri dyshohet se në shpërdorim të detyrës, me veprime në kundërshtim me ligjin nuk ka kryer ndalimin e një shtetasi të shpallur në kërkim, që ndodhej i shoqëruar në ambientet e DVP Elbasan”, njofton Policia.
Rezulton se Endri Filja, ishte i shpallur në kërkim për përshtatje lokali për përdorim droge. Policët s’e regjistruan në librin e Komisariatit, duke fshehur shoqërimin dhe nuk njoftuan prokurorin. Në dosje thuhet se Ulian Shpataraku, në kundërshtim me rregullat procedurale ligjore dhe nënligjore i ka marrë deklarim Endri Filjas, duke mos bërë ndalimin me iniciativë të tij, pasi rezultonte të ishte në kërkim policor.