MENU
klinika

Komisioni për Ekonominë dhe Financat

Prezantohet projektligji për fondet e pensionit privat

21.02.2023 - 14:25

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, prezantoi para Komisionit për Ekonominë dhe Financat projektligjin e ri “Për fondet e pensionit privat”.

Në fjalën e tij, Mete theksoi se drafti, i hartuar edhe me ekspertizën e Bankës Botërore, jo vetëm përafron kuadrin aktual me legjislacionin dhe direktivat evropiane, por edhe synon t’i japë një ritëm të ri zhvillimi tregut të fondeve të pensioneve private.

“Objektivat kryesore që synohet të arrihen janë mbrojtja e interesave të anëtarëve të fondit të pensionit privat, nëpërmjet vendosjes së standardeve më të larta për mirë informim dhe transparencë, nxitja e pjesëmarrjes në skemë nëpërmjet përfshirjes automatike, si dhe rishikimit të politikës tatimore me synim krijimin e lehtësirave fiskale, forcimi i kuadrit mbikëqyrës e rregullator, si edhe rritja e profesionalizimit në administrimin e fondeve të pensionit privat nga ana e shoqërive administruese,” u shpreh Mete.