MENU
klinika

Nga Plator Nesturi

Protesta si test i klimës politike

09.02.2023 - 15:05

Skema në parlament vijon të jetë e njëjtë prej tre javësh. Seancat nuk janë seanca parlamentare, diskutimet janë thjesht thirrje për çlirim si në një tokë të pushtuar, debatet janë sherr dhe ligjet kalojnë pa u marr vesh se çfarë është votuar. Dita e djeshme kish diçka më shumë sidoqoftë. Thirrjen për protestën e së shtunës, që duket se kërkohet të ushqehet me patos mediatik. Një gjë të paktën është e sigurtë. Kriza politike po hyn në një fazë të re ku nuk përjashtohen edhe përplasjet. E vetëdijshme për dobësinë e vet dhe mundësitë e pakta që ka në betejën elektorale të zgjedhjeve vendore, opozita e rreshtuar rreth Berishës kërkon të rimarrë inisiatë duke shfrytëzuar gjykimin ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI.

Pavarësisht se interesi kryesor është tepër larg nga çka i duhet vërtet opozitës, pavarësisht se deri dje SHBA quhej e korruptuar kur dënonte Non Gratën, pavarësisht se dhe vetë protesta nuk ka për ta pastruar dot vetë Berishën. Gjithësesi, kriza po shpaloset drejt së panjohurave, ndaj është e kuptueshme që veprimet që priten të jenë jo vetëm nga ana e opozitës që angazhohet në protestë. Veprime priten dhe nga kryeministri Rama. Çfarë surprizash do të kemi? Përballë janë dy rrugë. Ose të të luajë fort duke mos i lejuar asnjë centimetër terren opozitës në kërkesat e saj, ose të lëshojë diçka. Në rastin e parë, kjo ose do ta mposhtë kundërshtarin por ka dhe rrezikun e përshkallëzimit. Dhe përshkallëzimi, për të cilin Berisha është aq i dëshiruar, në të gjitha rastet në sytë e ndërkombëtarëve ka dy fajtorë. Pavarësisht se kush është fajtori dhe nga cila pjesë anon e e vërteta. Lëshimi mund të zbusë situatën porn ë këtë rast varet çfarë kërkon opozita. Deri më tani trysnia më e madhe që ushtron pjesa e Rithemelimit ka qenë çështja e logos dhe e vulës. Ndërsa çështja mbetet në gjykatë prej muajsh dhe Celibashi e ka të vështirë të zgjedhë se kë do të njohë midis komisionerëve të Alibeajt apo të Berishës, kjo situatë do i japë më inkadeshencë propagandës dhe aksionit opozitar. Jo më kot deri tani, Rithemelimi ndërsa është në pritje të vendimit për logon, nuk ka targetuar në sulmet e veta gjykatën por vetë kryeministrin si urdhërues që po ndikon në raportet mes opozitës për ta mbajtur të dobësuar.

Në një aspekt më të ngushtë, nëse me protestën e të shtunës Berisha po nxjer një duf dyvjeçar të shpalljes Non Grata por që gjithësesi nuk i ndryshon as ngjyrë dhe as e zbeh damkën, më së paku tenton përshkallëzim për të kapur të paktën primatin e opozitës e të njihet edhe zyrtarisht si kreu i opozitës. Është vetë mungesa e një vendimi të plotë nga gjykata që e bën Berishën më të paqetë por dhe më agresiv. Jo thjesht me aksione si protesta apo konflikt verbal parlamentar, por mbjatjen ndezur të një klime të nxehtë politike, me teori revolucionare për rrëzime pushtetesh dhe deri me mos njohje rezultatesh zgjedhore. Përderia ka zgjedhur rrugën e imponimit, së pari brenda partisë së vet e për ta shtrirë dhe në debatin politik, është e kuptueshme se çështjen e logos e të vulës nuk mund ta ndjekë veçse në këtë mënyrë. Aq sa për këtë nuk do ia përtonte që kërcënimin ta shtrijë edhe me një bojkotim zgjedhjesh për ta faturuar si pengim të pluralizmit.

Si rruga e ashpër ashtu edhe lëshimet mund të kenë një haraç me kamatë për maxhorancën. Përgjigja më e mirë përbllë një marrje të inciativës nga një opozitë zhurmëmadhe e konfliktuale nuk mund të jetë pritshmëria, por një aksion politik. Aksion që mund të shkojë nga një përzgjedhje më e mirë dhe më e mëncur me njerëz të përgjegjshëm të ekipit për zgjedhjet vendore dhe deri me heqjen e peshave të tepërta që realisht as gëzojnë vlerësimin e opinionit publik. Gjithësesi janë dhe zhvillimet ato që do të ndikojnë në klimën e mëtejshme politike. Në Shqipëri në fakt kështu është operuar përherë dhe nuk ka gjë për tu habitur tashmë. Ndaj protesta e së shtunës do të jetë si një lakmues për klimën politike të së nesërmes.