PSG po rikuperon forcat për angazhimet e saj të radhës. Sergio Ramos dhe Neymar janë rikthyer në stërvitje, me të cilët pritet rikthimi i tyre së shpejti. Megjithatë, të gjitha lëvdatat dhe sytë janë përqendruar te Leo Messi, shpëtimtari i skuadrës pariziene në ndeshjet e fundit.
Christophe Galtier ishte shumë i qartë në ndeshjen e fundit kundër Toulouse, se ku duhet të shkojë kjo PSG: “I kërkoj skuadrës të luajë për Leon dhe të punojë për të. Ai duhet të përjashtohet nga disa detyra. Shokët e tij do të duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta rikuperuar topin dhe të krijojë lëvizje që ai të distilojë pasime, kaq të rralla në futbollin e sotëm, në hapësira kaq të vogla”.
Kjo është duartrokitur në Francë, sa i përket menaxhimit që trajneri Galtier bën me Messin në skuadër. Ish-trajneri i kombëtares franceze, Raymond Domenech, një analist për kanalin L’Èquipe, është dakord me atë që po bën kolegu i tij në stolin e skuadrës pariziene:
“Jam dakord me Galtier. Edhe kur ishte më i ri, nuk mbronte shumë, kështu që kur tani është 35 vjet… Nga ana tjetër, kur ai e kishte topin në zonën rivale diçka po ndodhte”.
Për Domenech ka njëfarë paralelizmi mes PSG-së dhe kombëtares së Argjentinës, kampione e Botërorit. “Ai ka një ekip në PSG, që në fakt është ndërtuar si ai i Argjentinës. Të gjithë janë në shërbim të Messit, i cili do të bëjë ndryshimin.”
Këto fjalë nxjerrin në pah performancën dhe nivelin në të cilin ndodhet Leo Messi, vendimtar në ndeshjet e fundit të PSG-së, në mungesë të Neymar dhe Mbappe.