Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit qeveritar shqiptar janë pritur me nderime dhe ceremoni shtetërore në Podgoricë në kuadër të mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi.
Në këto momente ka nisur mbledhja e përbashkët mes dy qeverive. 11 marrëveshje mes dy qeverive do të nënshkruhen në mbledhjen e sotme.
Një ndër marrëveshjet e rëndësishme është ajo për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin e Shqipërisë, si dhe marrëveshja në fushat e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në Liqenin e Shkodrës dhe Lumin e Bunës.
Pjesë e diskutimit mes palëve, por edhe gjatë konferencës së përbashkët për shtyp do të jetë edhe kjo çështje, ku dy palët do të paraqesin projekte konkrete për ta kthyer lumin Buna në një atraksion turistik dhe hapësirë lundruese për jahtet dhe anijet.