Real Madridi është nisur pasditen e kësaj të hëne për në Marok, ku do të luajë për Kupën e Botës për Klube. Skuadra ‘los blancos’ udhëton pa tre titullarë: Courtois, Benzema dhe Éder Militão kanë probleme fizike së fundmi, ndërkohë që nuk do të jetë edhe mbrojtësi Mendy, i cili do të mungojë për rreth dy muaj.
Sulmuesi francez dhe mbrojtësi brazilian u larguan nga fusha me dhimbje në fitoren ndaj Valencias, të enjten e kaluar. Courtois pësoi një dëmtim të dielën e kaluar, ende në përgatitjen e ndeshjes kundër Mallorca, për kampionatin spanjol. Asnjë nga rastet nuk është serioz, por sipas gazetës Marca, shanse për të luajtur në një finale të mundshme kanë vetëm sulmuesi dhe portieri.
Real Madrid përballet me Al Ahly të mërkurën, në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Lista përfundimtare me 23 lojtarë publikohet nga FIFA deri në 24 orë para debutimit të ekipit. Prandaj, klubi mund të zgjedhë të regjistrojë lojtarë që mungojnë deri të martën.
Ndërkohë, skuadra braziliane e Flamengos luan gjysmëfinalen tjetër të Kupës së Botës për Klube këtë të martë, kundër Al Hilal.