MENU
klinika

Analiza

Si Amerika ‘ia ka hedhur në kosh’ Kinës skenaret për luftë…

03.02.2023 - 17:31

Gazeta Wall Street Journal ka raportuar se Uashingtoni ka si synim që të forcojë praninë e tij në rajonin Azi-Paqësor.

Rajon, ky që është konsideruar mjaft strategjik në funksion të konfrontimit me Pekinin si dhe për të kundërshtuar ngritjen e gjigantit aziatik. Në të njëjtën kohë prania e SHBA-së në këtë rajon ndikon te ajo për të zgjeruar ombrellën mbrojtëse ndaj Tajvanit. Ku tashmë siç dihet tensionet midis Tajvanit dhe Kinës kohët e fundit kanë qenë mjaft të tendosura. Shtetet e Bashkuara duan të forcojnë bashkëpunimin ushtarak me Filipinet dhe të fokusohen në katër baza ushtarake të vendosura në këtë vend aziatik.

Ndaj dhe planifikimi i takimit të sekretarit amerikan të mbrojtjes Lloyd Austin me presidentin e ri  të Filipineve  Ferdinand Marcos Jrnë Manila fundjavën e ardhshme nuk mund të themi që është rastësi. Ende nuk ka informacione konkrete në lidhje me numrin e trupave  që SHBA-të do të donin të dislokonin në vend, por tashmë diçka është e sigurt, plani i afërm i Bidenit në lidhje me këtë zonë.

Sipas Washington Post, SHBA po e merr marrëveshjen virtualisht, dhe më pasi  u bë e ditur se ushtria amerikane do të ketë akses të zgjeruar në baza  kryesore ushtarake në territorin e Filipineve si pjesë e procesit më të gjerë të rishikimit të qëndrimit strategjik të SHBA-së në Japoni dhe në Indo-Paqësor.

Mediat amerikane kanë vënë në dukje se muajt e fundit Uashingtoni ka kryer një punë intensive vlerësuese në lidhje me Filipinet. Qasja në baza do të lehtësonte gjithashtu bashkëpunimin në një gamë të gjerë fushash sigurie, duke përfshirë reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe ngjarjeve ekstreme të motit.

Bazat amerikane mendohen se mund të jenë të shtrira në ishullin verior të Luzon dhe në provincën jugperëndimore të Palawan. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar ndihmë ushtarake Manilës, duke përfshirë dronët, të cilët janë të vlefshëm për të mundësuar ushtrinë filipinase të monitorojë aktivitetin e Kinës në Detin e Kinës Jugore. Sipas zyrtarëve të mbrojtjes amerikane vendosja e trupave amerikane në Filipine do t’i japë SHBA-së më shumë mbështetje logjistike në një zonë më të gjerë nëse konflikti shpërthen.

Një zëdhënës i Komandës Indo-Paqësorit të SHBA-së, i cila është përgjegjëse për operacionet ushtarake të SHBA-së në Azi-Paqësor bëri me dije se aktualisht janë rreth 500 ushtarakë amerikanë në zonat e Filipines. Zgjerimi i numrit të bazave ushtarake u dakordua me Marrëveshjen e Bashkëpunimit të Shtuar të Mbrojtjes (EDCA), të nënshkruar në vitin 2014. Në vitin 2016, ushtria amerikane fitoi qasje në pesë objekte ushtarake në kuadër të marrëveshjes.

Njëkohësisht, SHBA ka ndarë gjithashtu mbi 82 milionë dollarë për investime në infrastrukturë në pesë lokacionet ekzistuese nën marrëveshjen EDCA. SHBA-ja është konsideruar gjithnjë si një kundërpeshë vendimtare për Kinën në rajon dhe është zotuar të dalë në mbrojtje të Filipineve nëse forcat, anijet ose avionët filipinas sulmohen në ujërat e kontestuara.

Në fillim të këtij muaji, presidenti kinez Xi Jinping mirëpriti Marcos në Pekin për një vizitë shtetërore, gjatë së cilës të dy liderët nënshkruan një sërë marrëveshjesh që konsolidojnë bashkëpunimin në një sërë fushash, duke përfshirë sigurinë. Në detaje, Filipinet dhe Kina kanë rënë dakord të krijojnë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi midis ministrive të tyre të jashtme për çështjet që kanë të bëjnë me Detin e Kinës Jugore, me qëllim lehtësimin e tensioneve të ndërsjella.
Ndërkohë, Marcos vazhdon të luajë në fronte të shumta, si me presidentin kinez Xi, me Biden si dhe gjithashtu me kryeministrin japonez Fumio Kishida. Në fakt, presidenti i Filipineve do të udhëtojë në Japoni javën e ardhshme për një vizitë zyrtare pune. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Jashtme e Filipineve, duke parashikuar një udhëtim që ka si synim forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.