MENU
klinika

Njëri prej atentatorëve të Arjan Ndojt

Si u finalizua operacioni për kapjen e Amar (Dritan) Shkëmbit

24.02.2023 - 10:35

Në një komunikatë të vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit në muajin janar të këtij viti, teksa tregonte emrat e personave të vënë në pranga në kuadër të një organizate kriminale, një person e fshehën pas inicialeve D.SH!

Teksa u tha se është goditur një ndër grupet më të fuqishme të krimit të organizuar në vend, ndonëse gjysma ishin dhe vijojnë të jenë në drejtim të paditur, D.SH, nuk u mor vesh se kush ishte, por ai, sipas të dhënave të Policisë dhe SPAK ishte një person i rëndësishëm në këtë grup kriminal.

Gjithçka kishte nisur nga hetimet për zbardhjen e atentatit ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, akt i ndodhur katër vite më parë. Në atë pritë u plagos prokurori dhe një i njohuri i tij, ndërkohë që fatkeqësisht plumbat i morën jetën shoferit, të riut Andi Maloku. Në listën me shumë emra të vënë nën hetim për atë pritë fatale për jetën e Andit, u pa të ishte edhe Plaurent Dervishi, i kërkuar edhe për një tjetër dosje. Për të e disa emra të tjerë bëhet me dije se gjenden në Dubai, e për pasojë, Policia e Shtetit nuk e ka pasur të vështirë ta zbulojë vendndodhjen e të shumëkërkuarit, pa emër të plotë.

ARRESTIMI
Dje, Policia e Shtetit bëri me dije se Amar (Dritan) Shkëmbi, anëtar i një grupi të strukturuar kriminal, është arrestuar në Dubai. Operacioni për arrestimin e tij është kryer nga Policia e Shtetit, SPAK-u dhe Interpol Abu Dhabi, në koordinim nga Qendra e Interpolit në Lyon të Francës. Bëhet me dije se GJKKO i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe i municionit, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, është tentuar të vritet me armë zjarri shtetasi Arjan Ndoj, me detyrë prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili qarkullonte me automjet, së bashku me 2 shtetas të tjerë. Si pasojë e të shtënave është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë në spital shtetasi Andi Maloku, (shoferi i prokurorit) dhe ka mbetur i plagosur prokurori. Kështu tha policia dje, duke shtuar se arrestimi i këtij shtetasi është bërë me qëllim ekstradimin e tij në drejtim të vendit tonë. Ndonëse Dubai është kthyer në “parajsën” që strehon shqiptarët me rekorde kriminale, ende nuk bëhet me dije se si mund të realizohet ekstradimi i këtij të shumëkërkuari, emri i të cilit në fakt është i njohur prej shumë vitesh në vendin tonë.

ORGANIZATA KRIMINALE
39-vjeçari u shpall në kërkim me urdhër të SPAK dhe vendim të Gjykatës, në janar të këtij viti ku u arrestua për të njëjtën dosje edhe Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Bashkim Haxhia, Marsel Deçka, Endrit Sinani, dhe Juljan Pjetri. Ndërkohë, Plarent Dervishaj, Ramazan Rraja dhe Julian Meçe janë shpallur në kërkim si organizatorë të atentatit. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe miku i tij Aleksandër Laho i njohur si “Rrumi” si dhe humbi jetën në spital, shoferi i prokurorit Ndoj, Andi Maloku. Pista kryesore e hetimeve është se objektiv i atentatit, ishte Aleksandër Laho, ndaj të cilit personat e dyshuar po organizonte një sulm të dytë. Ky fakt ka dalë nga përgjimet e kryera prej SPAK që firmosi më pas edhe urdhër-arrestet ndaj tyre. Sipas prokurorisë, e gjithë përplasja mes dy grupeve ka ardhur si pasojë e konflikteve për pronat në bregdet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN