MENU
klinika

Përgjoni ‘heroi’ i bardhebluve në Rrogozhinë!

Superiorja/ Tirana “si përherë” mposht Egnatian

06.02.2023 - 22:19

Java e 20-të e Superiores nis me ndeshjen Egnatia-Tirana. Bradheblutë nuk e prishin ‘traditën’ dhe fitojnë 1-2 në fushën e Egnatias, në një sfidë jo dhe aq të lehtë për kryeqytetasit në çastet e fundit, por që gjithsesi marrin pikët e çmuara.

Kjo edhe falë Florjan Përgjonit, i cili u bë ‘heroi’ i bardhebluve me një gol të shënuar në fillim të ndeshjes, por edhe për rolin e pazakontë të portierit në fund, teksa zëvendësoi Bekajn e dëmtuar, duke mbrojtur kuadratin e ekipit të Tiranës.

Në minutën e parë të ndeshjes një top nga e djathta shfrytëzohet më së miri nga Përgjoni, që shënon një gol të bukur e duke shtangur Egnatian. Pak minuta më vonë bardheblutë janë sërish shumë pranë golit me Patrick që ndalet nga tranversa, ndërkohë që nuk vonon edhe përgjigja e formacionit rrogozhinas. Vjen nga Duamena (12’), që nga brenda zonës me kthesë bën më të mirën në krosimin e Fangaj duke ndëshkuar Bekajn dhe 1-1.

Pjesa e parë mbyllet në ekuilibër, ndërsa e dyta vijon e luftuar. Emocionet më të forta janë të rezervuara pak pas një ore lojë, fillimisht me Përgjonin që lëshon një goditje të fortë, Sherri ia del ta kthejë, këmbëngul sërish mbrojtësi i Tiranës dhe këtë herë me Sherrin të mposhtur, është Kacbufi që shpëton portën e tij mbi vijën fatale.

Një mrekulli e vërtetë për Egnatian, por Kacbufi shndërrohet nga ëngjëll në djall për pak sekonda, pasi menjëherë më pas prek topin me dorë në zonë dhe për arbitrin nuk ka dyshime, është 11-metërsh. Nga pika e bardhë Florent Hasani (67’) nuk gabon dhe çon topin në rrjetë duke lënë në tokë Sherrin për të risjellë avantazhin.

Goli i nëntë sezonal për Hasanin, gjithnjë e më lider te bardheblutë, i gatshëm për të marrë trashëgiminë e Xhixhës dhe për të sulmuar kreun e klasifikimit të golashënuesve që udhëhiqet nga shoku i tij i skuadrës dhe Skuka, tanimë të larguar.

Egnatia gjithsesi nuk dorëzohet me Bekajn, që impenjohet seriozisht në disa momente, deri sa bëhet protagonist i minutave të ankthit në finale, kur mbetet i rrëzuar në tokë pas një përplasjeje të fortë në kokë. Portieri bardheblu e ka të pamundur të vazhdojë dhe interesant është fakti, që për 13 minutat e shtesës është Përgjoni ai që vesh dorezat e portierit, duke qenë se trajneri Shehi i kishte bërë zëvendësimet.

Dhe në rolin e ri, Përgjoni nuk ka të sharë, pasi në të 98-tën bën një pritje të mrekullueshme. Është padyshim ai njeriu i ndeshjes, edhe me pritjen që sanksionoi fitoren 1-2 të Tiranës, që siguron kryesimin (6 më shumë se Partizani ndjekës), ndërsa Egnatia mbetet në kuotën 27 pikëve, ndërkohë që në 4 ndeshjet e fundit në kampionat ka koleksionuar dy humbje dhe dy barazime.