MENU
klinika

Basket Superliga

Teuta likuidon Kamzën, Besëlidhja thyen Tiranën

13.02.2023 - 14:49

Superliga e basketbolli të meshkujve ka nisur fazën e tretë, teksa të shtunën janë luajtur ndeshjet e javës së 11-të të kampionatit. Teuta, Besëlidhja e Apolonia e kanë rifilluar me këmbë të mbarë kampionatin.

TEUTA-KAMZA – Durrsakët vijojnë të shkëlqejnë në të gjitha kompeticionet gjatë këtij sezoni. Pasi e mbyllën 2022-shin me triumfin në Superkupë dhe pasi ngritën dy javë më parë kupën, bregdetarët e trajnerit Melzin Lazimi nuk falin as në kampionat. Kështu, Teuta siguroi suksesin e nëntë në Superligë duke mundur Kamzën 92-84. Një ndeshje që i pa kampionët në fuqi në avantazh gjatë të gjithë kohës, ndërsa miqtë nga Kamza provuan të reagonin në periodën e fundit. Perioda e parë ishte e luftuar, me bregdetarët që fituan ngushtë 20-18. Më tej vendësit e rritën ndjeshëm ritmin, duke u shfaqur dominues në parket për t’i fituar dy periodat e radhës bindshëm 27-18 dhe 24-14, me rezultatin që shënonte 71-50 pas 30 minutash lojë. Por Kamza nuk dorëzohet dhe nis rikuperimin duke i trembur durrsakët, teksa ngushton në 88-84 kur kanë mbetur 35 sekonda nga fundi. Gjithsesi, Teuta e mbron epërsinë në shifra të përgjithshme për të ruajtur edhe vendin e parë në renditje. 4 lojtarë të Teutës prekën dopioshifër pikësh, ndërsa protagonisti absolut ishte Avery Sullivan me 30 pikë dhe 12 ribaunde. Edhe në radhët e Kamzës gjithashtu 4 lojtarë arritën kuotë dyshifrore pikësh, ku më i miri Justin Thomas me 26 pikë.

BESËLIDHJA-TIRANA – Skuadra lezhjane regjistroi një tjetër fitore përballë Tiranës në këtë sezon, duke i mundur bardheblutë me rezultatin 81- 72 në “Asllan Rusi”. Një ndeshje që nisi më mirë për kryeqytetasit e Erkand Karajit, të cilët e panë vetën deri në +13 pikë avantazh gjatë periodës së parë, periodë që më pas u mbyll 14-24. Por më pas ishte Besëlidhja dominuese në parket, për të fituar 28-16 periodën e dytë, duke përmbysur në 42- 40 në pjesën e parë. Çereku i tretë ishte tepër i luftuar, fraksion që mbyllet 20-20, me Besëlidhjen që udhëheq 62-60 pas 30 minutash lojë. Në gjysmën e dytë të periodës së katërt, të besuarit e Afrim Bilalit krijojnë shkëputjen decizive për ta fituar ndeshjen me +9 pikë avantazh. Me 26 pikë dhe 13 ribaunde edhe një herë tjetër Jordan Robinsin bëri liderin te Besëlidhja. Te Tirana rendimentin më të lartë e kishte Endrit Hysenagolli me 19 pikë e 13 ribaunde.

VLLAZNIA-APOLONIA – Ndonëse në Shkodër e kishin konsideruar si një ndeshje “jetë a vdekje”, Vllaznia vijon rënien e lirë duke iu afruar gjithnjë e më shumë zbritjes një kategori më poshtë. Kuqeblutë shënuan disfatën e 10-të në kampionat, duke u thyer në shtëpi nga Apolonia me rezultatin 84-94. Kuqeblutë, të cilët e panë veten deri në +9 pikë epërsi pas gjysmës së takimit, u përmbysën në pjesën e dytë nga fierakët.