MENU
klinika

Java e blofeve të mëdha

Tifozët shohin mrekulli në çdo kategori

27.02.2023 - 15:16

Shqipëria prodhon pak ngjarje të bujshme. Fjala vjen, janë po të njëjtët drejtues politikë prej tri dekadash, janë po të njëjtët presidentë federatash prej shumë vitesh, pothuajse po të njëjtët presidentë klubesh, po e njëjta histori me emigracionin masiv nga vendi dhe shpesh po e njëjta frekuencë skandalesh me korrupsionin apo me krimin.

Surprizat e mëdha na i sjell futbolli: ndonjëherë për mirë, ose ndonjëherë për keq. Këtë javë ndodhi një mrekulli e vërtetë: skuadrat e fundit të tabelës mundën pretendentët për titull. Vëreni me kujdes: Kukësi mundi të premten Partizanin 1-0, Kastrioti mposhti Vllazninë në Shkodër 1-0 dhe Teuta fitoi me kampionët e Tiranës në “Air Albania” me rezultatin 2-0. Çfarë surprize!

Madje po ta hedhësh shikimin në kategoritë inferiore befasitë nuk kanë të sosur dhe një sportdashës asnjanës, do të mrekullohej teksa do të shihte Elbasanin që barazon në shtëpi 1-1 me Pogradecin, që mbeti me 9 lojtarë që nëminutën e 5-të në Kategorinë e Dytë… Turbina e vendit të fundit mund Korabin pretendent, ndërsa qershia mbi tortë e blofeve të mëdha të kësaj jave në Kategorinë e Parë ishte Dinamo, që u mund në shtëpi nga Tomori me 10 futbollistë.

Dikur ndonjë i pasionuar pas basteve mund të bënte namin me kaq shumë blofe brenda një jave në futbollin shqiptar, por për fat në Shqipëri nuk ka më baste. Qeveria shqiptare, që ecën nga fitorja në fitore, e ka prioritet luftën ndaj kumarit dhe ndërkaq edhe federata shqiptare, që shquhet për luftën ndaj trukimit të ndeshjeve, ka arritur të bindë publikun shqiptar se futbolli sa vjen dhe bëhet më i pastër.