MENU
klinika

Shifrat për 2022-shin

Transfertat bankare nga jashtë për shqiptarët u rritën me 4.2%

18.02.2023 - 13:44

Transfertat hyrëse nga jashtë vendit në llogaritë bankare të individëve në Shqipëri shënuan një rritje të ndjeshme vitin e kaluar. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, ato arritën vlerën e 47.4 miliardë lekëve, në rritje me 4.2% krahasuar me një vit më parë.

Rritja është më e ngadaltë me nivelin 10.1% të vitit 2021, por pjesërisht kjo është ndikuar edhe nga efekti statistikor që jep mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit, sidomos ndaj euros. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kursi mesatar i këmbimit të euros për vitin 2022 zbriti në 119 lekë, 122.5 lekë që kishte qenë në vitin 2021, që përkthehet në një zhvlerësim mesatar me rreth 2.9%.

Por, gjysma e dytë e vitit 2022 ka sjellë një tendencë në dukshme drejt një mbiçmimi më të lartë të monedhës vendase. Për tremujorin e fundit 2022, Euro u këmbye mesatarisht me 116.4 lekë, ndërsa për muajin dhjetor kursi mesatar ishte edhe më i ulët, në nivelin 114.9 lekë.

Ecuria ka një tendencë më të dukshme në rritje, e shprehur si numër transfertash. Numri i tyre për vitin 2022 arriti në pothuajse 295 mijë, me një rritje prej 73% krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë i detajon transfertat hyrëse ndërkombëtare sipas bizneseve dhe individëve që prej viti 2015. Shifra e vitit 2022 është më e larta e regjistruara për këtë periudhë kohore.

Rritja e transfertave nga jashtë në llogaritë e individëve është një tregues që sinjalizon vijimësinë e rritjes së remitancave edhe për vitin e kaluar, megjithëse transfertat bankare nuk janë kanali i vetëm i hyrjes së tyre. Një peshë edhe më të lartë zënë dërgesat nëpërmjet operatorëve të transfertave të parave dhe flukset që hyjnë në rrugë informale.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë janë të disponueshme deri në fund të 9-mujorit, kur u raportuan remitanca për një vlerë të përgjithshme prej 592 milionë eurosh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, remitancat u rritën me 9.8%, duke shënuar gjithashtu nivelin më të lartë të periudhës 9-mujore që prej vitit 2009. Po t’i referohemi vitit 2021, transfertat bankare hyrëse në llogaritë e individëve përbënin 49% të vlerës totale të remitancave.

Në dekadën e fundit, po shënohet një valë e re emigracionit shqiptar, e drejtuar sidomos drejt vendeve të Europës Perëndimore. Kjo valë ka përfshirë në një pjesë më të madhe profesionistë dhe punonjës të specializuar, që kanë shfrytëzuar kërkesën për punë në tregjet europiane dhe po ushqen një cikël të ri të rritjes së remitancave që dërgohen në Shqipëri.

Përveç remitancave në formën e tyre më të zakonshme, të dërgesave të emigrantëve në formën e ndihmës për familjet e tyre në Shqipëri, në vitet e fundit ka një tendencë të rritjes së të ardhurave nga puna sezonale jashtë vendit dhe sidomos nga ajo në distancë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin 2022 të ardhura nga puna jashtë vendit kishin vlerën e 311 milionë eurove, në rritje me 56% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rregullore e re për transfertat

Banka e Shqipërisë cakton kufijtë për tarifat