Maks Vershtapen e ka nisur në mënyrën më të mirë gjuetinë për titullin e tretë radhazi në Formula 1, duke u treguar më i shpejti në ditën e parë të testeve parasezonale të mbajtura dje në Bahrejn.
Holandezi i Red Bullit ka vendosur menjëherë hierarkinë, teksa realizoi dje 157 xhiro, duke fiksuar kohën më të mirë 1’32.837. Por vëmendje të madhe tërhoqi paraqitja e Fernando Alonsos, pasi spanjolli ishte shumë pranë kohës së kampionit në fuqi të botës, duke regjistruar rezultatin 1’32.866, vetëm +0.029 nga kreu, ndërsa realizoi vetëm 60 xhiro. Më pas kohët më të shpejta i shënuan pilotët e Ferrarit.
Me makinën SF-23, i treti u pozicionua Karlos Sainz, me kohë 1’33.253, ndërsa pas tij shoku i skuadrës, Sharl Lëklerk me kohën 1’33.267, teksa spanjolli kreu 72 xhiro, ndërsa monegasku 64. Top-10 e ditës së parë vijon me radhë me Lando Norris, Luis Hamilton, Aleks Albon, Zhu Guaniu dhe Xhorxh Rasëll. Testet do të vijojnë deri të shtunën, ndërsa më 5 mars nis kampionati.