MENU
klinika

Kosovë

Votohet marrëveshja e lëvizjes së lirë me letërnjoftime

23.02.2023 - 14:04

Në Kuvendin e Kosovës dhe në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës pritet të votohet sot marrëveshja e lëvizjes së lirë me letërnjoftime mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që pas hyrjes në fuqi, do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnja.

Më 8 shkurt, Qeveria e Kosovës kishte miratuar këtë marrëveshje, ndërsa e njëjta pritet të ratifikohet sot në Kuvend. Ndërsa, nëse marrëveshja miratohet sot në Këshillin e Ministrave, e njëjta dërgohet më pas për miratim në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.

Kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit. Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.

Më 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnje e Hercegovinës.

Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Radio Evropa e Lirë, vitin e kaluar solli rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thanë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi kjo do të nënkuptonte për ta “fundin e agonisë”.

Vitin e kaluar, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve./REL