MENU
klinika

SHBA s’përmend njohjen reciproke

Zbulohet përmbajtja e letrës së Blinken për Vuçiç-in

15.02.2023 - 18:39

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i ka dërguar një letër sot presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Në letrën që tashmë është publikuar edhe në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, Blinken thotë SHBA-të janë mbështetëse e fortë e ambicieve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. E po ashtu përmend se liderët e dy vendeve, si kryeministri Albin Kurti, edhe presidenti Vuçiç duhet të bëjnë kompromise të vështira.

Por ajo që u ka rënë në sy mediave të Kososvës është që në asnjë moment Blinken nuk e ka përmendur njohjen reciproke mes dy vendeve.

“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe ata të Kosovës do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur qëllimet, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha,”-shkruan Blinken në letër.

SHBA s’përmend njohjen reciproke mes Serbisë e Kosovës,

Dy vite më parë, po ashtu në një letër, Blinken tha se marrëveshja duhet të përfundojë me “njohje të ndërsjelltë”.

“Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë angazhimin e tyre ndaj partneritetit tonë afatgjatë. Mbështetja jonë për qëllimin strategjik të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian vazhdon. Ne përshëndesim hapat e Serbisë për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të përqendruar në njohjen reciproke do të kërkojë fleksibilitet dhe vullnet nga të gjitha palët për kompromis,” –thuhej në këtë letër.

SHBA s’përmend njohjen reciproke mes Serbisë e Kosovës,

LETRA E PLOTË:

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të përgëzoj popullin e Serbisë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin strategjik që gëzojmë me Serbinë për të çuar përpara një të ardhme më të qëndrueshme, të sigurt dhe të begatë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e ambicieve të Serbisë në BE. Ne jemi të përkushtuar të punojmë me ju dhe partnerët tanë të BE-së drejt këtij qëllimi të rëndësishëm. Përshëndes angazhimin konstruktiv të Serbisë me zyrtarët e SHBA-së, BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë gjatë një vizite të fundit në Beograd. Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe ata të Kosovës do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur qëllimet, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha.

Gjithashtu i bëj thirrje Serbisë që të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë. Shtetet e Bashkuara mirëpritën mesazhet e Serbisë për mbështetjen e Ukrainës në Kombet e Bashkuara – dhe ne duhet të jemi të bashkuar në mbështetjen e të drejtës së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre.

Jam i kënaqur që dy vendet tona nënshkruan së fundmi një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar pozicione ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve dhe objektivave tona të politikës së jashtme përkatëse, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritete të qëndrueshme. I uroj të gjithë popullit të Serbisë paqe, begati dhe lumturi në festën tuaj kombëtare.