MENU
klinika

Nga Ben Andoni

A po mbaron Liberalizmi tek ne dhe aleanca e autokratëve të Ballkanit!

30.03.2023 - 16:50

Ka një argument, i cili mund ta inkurajojë liberalizmin evropian dhe kjo lidhet me të gjithë pështjellimin prej agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe realitetin e ri politik, që po rrjedh paskëtaj. Duke u kthyer pas në histori, ishte realisht Lufta e Ftohtë dhe ashpërsimi i saj që i inkurajoi politikanët e shekullit të kaluar të investonin seriozisht në institucionet liberale siç ishte Bashkimi Evropian. Zhvillimi dhe konfigurimi i tij ishte është dhe mbetet sprova në terren e liberalizmit kontinental, bashkë me të gjithë problematikat e shumta, të cilat i kemi ballë syve. A ka mundur Evropa e re, fjala është për vendet e ish-Lindjes komuniste, të përshtatet me këtë frymë? Shembujt e Polonisë, Çekisë dhe sidomos Hungarisë janë të hidhura. Për të mos folur për frymën e vendeve të Ballkanit Juglindor. Më shqetësues prej të gjithëve mbetet, lideri hungarez, Viktor Urban, që e ka shprehur hapur kundërshtinë e tij ndaj liberalizmit social: “Ne duhet të braktisim metodat dhe parimet liberale të organizimit të një shoqërie”, citohet mendimi i tij. Më shumë se kaq nuk ke çfarë t’i thuash një lideri, që tashmë e qesëndis Evropën fare hapur dhe madje në jo pak raste mbahet dhe si një lloj modeli.

Në Ballkan shembulli i tij është shumë ndjellës dhe atij i referohen vazhdimisht. Një nga krerët e Ballkanit, Nikolla Gruevski, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut tashmë gjendet i strehuar aty, duke e sfiduar hapur drejtësinë, kurse Beogradi e mban si një aleat të rëndësishëm.

Nga ana tjetër, Shqipëria është një shtet pa ndonjë bosht të përcaktuar dhe me ideologji të majtë tejet konfuze, kurse zyrtarët e saj e përmendin termin liberalizëm për të treguar dallimet me kundërshtarët por duke qenë vetë të paqartë për konceptet bazike të saj. Në fakt, mungesa dhe inkurajimi i tregut të lirë, mos-zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe përkrahja për individin nuk është se respektohet shumë në vendin tonë. Tregun e kanë mbytur rregullat aspak të qarta dhe forcimi i monopoleve, kurse sa për zgjedhjet në Shqipëri, të gjithë e dinë si bëhen dhe jo më kot, nuk kemi pasur asnjë zgjedhje në erën demokratike, e cila të mos jetë e kontestuar.

Në fakt, liberalizmi i ka bërë një të mirë Shqipërisë se e ka futur në trendin ndërkombëtar të vërejtjes së zhvillimit dhe fuqizimit të autokratëve. Kryeministri Rama e paraardhësi i tij Berisha i atribuojnë/nin vetes fuqi të mbi-zakonshme dhe vazhdimisht kanë drejtuar me fushata për të rregulluar kinse anomalitë, që në fakt i kanë pjellë qeverisjet e tyre. Ndërkohë, që bota e mori goditjen nga kriza e vitit 2008 të Recesionit dhe sidomos me ngritjen e Trampit, që po lufton rikthimin në krye të presidencës së SHBA-së, vendet e Ballkanit janë zhytur në paqartësi.

Po në botë, “Nga e Djathta, anti-liberalët e gjejnë rrënjën e problemit në doktrinat sociale të liberalizmit, theksimin te sekularizmi dhe të drejtat individuale. Sipas këndvështrimit të tyre, këto ide janë tretëse që po shkatërrojnë komunitetet e Amerikës dhe, në fund, shpërbëjnë strukturën shoqërore që i duhet një vendi për të përparuar. Në të kundërt, anti-liberalët e majtë përcaktojnë doktrinën ekonomike liberale si burimin e fatkeqësive tona aktuale. Vizioni i liberalizmit për ekonominë si zonë e lirisë individuale, sipas këndvështrimit të tyre, ka krijuar një sistem të thellë shfrytëzimi që bën një tallje me pretendimet liberale se janë demokratike – një sistem shtypës i referuar si ‘neoliberalizëm’”, shkruan Zack Beauchamp te “The anti-liberal moment”.

Liberalizmi “ndërron vazhdimisht traditat thellësisht të dashura midis popullatave të tij subjektive, duke nxitur trazira, armiqësi dhe përfundimisht reagime e reagime politike”, shkroi në një fjalim në maj profesori i drejtësisë në Harvard, Adrian Vermeule, një nga anti-liberalët më të shquar të kohës.

Po a po vinë këto mesazhe në Evropë dhe sidomos në këtë cep të vogël, ku gjendet kontinenti ynë? Konflikti aktual me Rusinë ka të ngjarë të inkurajojë një angazhim më të madh ndaj projektit evropian të familjes së përbashkët që ndajnë vlera të njëjta dhe kjo po duket me një narracion të rri në BE dhe sidomos me pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ballkani po lëviz me marsh ndryshe dhe paradoksalisht, tashmë autokratët janë kudo në pushtet dhe afër tij, kurse nëse në shekullin e shkuar, liberalizimi dhe sensi për respektin ndaj parimeve të tij i dha forcë rritjes së demokracisë në Spanjë dhe Greqi, duke i dhënë dërrmën kujtimin të diktaturave. Veçse në shekullin tonë, qeveritarët në shtetet me prirje autokratë e ndjejnë veten më të sigurt dhe po i përshtatin narrativat drejtuese sipas interesave të tyre dhe jo pak herë nën kuadrin e parimeve të BE-së. Ca më keq akoma, konflikti i krijuar prej Rusisë mund ta bëjë më të vështirë për liderët evropianë ta tolerojnë Orbanin, narrativat e liderëve ballkanikë por edhe autokratë të tjerë në Bashkimin Evropian. Sërish paradoksi është se pushtimi i Rusisë ka treguar se çfarë mund të bëjë ligjërimi nacionalist dhe kundër liberalizmit, e më shumë akoma ka dhënë një ide se ku mund të të çojë deri kërcënimi ekzistencial për ushqimin, energjinë, të përcjella nga cinizmi i autokracisë ruse për sigurinë evropiane.

Ajo që mbetet për njerëzit dhe ky është pozitiviteti më i madh ka të bëjë me një fakt të thjesht dhe që lidhet direkt me liberalizmin: tek e fundit, demokracia ka treguar të paktën për shqiptarët mrekullinë e lirisë, e cila nuk është abstrakte por është fare e prekshme. Shqiptarët mund të shkojnë të lirë në votime, paçka pasojave të zgjedhjeve të tyre që jo pak herë lenë për të dëshiruar; shqiptarët po mundohen në tregun e lirë edhe pse qeveritë tona shpesh luajnë të paqarta dhe u lenë fushë të lirë pabarazisë dhe monopoleve. Dhe, vërtetë sot, ky pluralizëm na sjell probleme, për shembull në rastin shqiptar, të kemi përballë një administratë aspak të mirë, të kemi liderë arrogantë, të përballemi me një korrupsion të frikshëm dhe ngado njerëz që nuk e respektojnë shtetin, si dhe të ballafaqohemi me një rritje ekonomike që nuk shkon me nevojat vendase. E megjithatë, sërish, nuk kemi përballë brutalitetin e shteteve që nuk e respektojnë mendimin e lirë dhe të tregojnë derën. Rusia i tregoi botës me aktin e saj përçudnimin e një sistemi qeverisës, që nuk respekton aspak kanonet demokratike.

Por edhe këtu ka një zhvillim pozitiv, nëse qeveritë autokratë të Evropës dhe sidomos në Ballkan që e mbajnë një këmbë nga fryma liberale dhe tjetrën në përqendrimin e pushtetit, duket se me paqartësinë e tyre do të shtojnë indirekt një frymë më pozitive sa i përket liberalizmit. Që shpresohet se pas kësaj lufte do të marrë sërish oksigjen, kur të lexohen si duhet pasojat që la një luftë kaq e tmerrshme. Por, ajo do t’i shërbejë në një kah ndryshe edhe autokratëve në Serbi dhe Hungari. Të parët, megjithë mbështetjen që kanë marrë në kohën e bombardimeve nga NATO dhe sidomos për Kosovën u është treguar se për interesat e veta, shteti i Putinit nuk i pyet shumë. Ashtu si Hungaria megjithë qëndrimin “origjinal” i është bërë e qartë se rruga e BE-së është krejt tjetër nga ajo e Moskës. Ndaj Hungaria me qëndrimin e saj plot ekuivokë nuk është se e mbylli derën për refugjatët ukrainas.

Të gjitha këto Tirana zyrtare i sheh mirë dhe pas narrativës qeverisëse, që shumë herë shkon me diskursin liberal, i duhet të tregojë tej pozitivitetit të “Balkan Open” sesa kjo iniciativë nuk u ka shërbyer thjesht e vetëm Ramës dhe Vuçiç për pozitat e tyre. Anipse, vetë Perëndimi është i paqartë për këtë iniciativë e të jep të kuptosh atë paradoks me të cilën vishet i gjithë diskursi ndaj Ballkanit. Tek e fundit, retorika e shumë vendeve të Perëndimit gjatë luftës me Rusinë, para saj me problemin e Covid-19 tregoi se kontinenti ynë është demoralizuar. Dhe, kjo i bënte “të lirë” liderët e Ballkanit, sidomos Ramën t’ia përvishte Brukselit sa herë që t’i jepej mundësia. Apo Vuçiç ta qesëndiste me idetë e tij ndryshe për përballjen me Rusinë dhe sidomos leximin e Kosovës. Vënia e gishtit në plagë nga liderët me shumë plagë në vendet e tyre është shumë paradoksale. Ose si argumenton me të drejtë G. John Ikenberry: mosfunksionimi i tillë mund të gjurmohet pjesërisht në një “krizë suksesi” pas rënies së komunizmit. Ikenberry sugjeron po ashtu se: mungesa e një kërcënimi të përbashkët ekzistencial dobësoi kohezionin brenda Perëndimit liberal dhe krijoi kushte lejuese për fragmentim dhe ngritjen e politikanëve si Trump dhe Orbán, të cilët po e vënë në dyshim hapur rendin liberal ndërkombëtar.

A do mundet bota të dalë nga ky qerthull dhe cila do jetë udha e Shqipërisë dhe Ballkanit, paskëtaj? “Përtej bashkimit të forcave demokratike, pushtimi rus ka gjithashtu potencialin për të dobësuar “autoritetin ndërkombëtar”—një term i krijuar nga studiuesi i ndjerë bjellorus Vitali Silitski për të përshkruar aleancën dhe koordinimin e lirë midis autokracive të ndryshme për të luftuar kërcënimet demokratike. Një koordinim dhe bashkëpunim i tillë ka përfshirë ndarjen e mjeteve ligjore për të zhdukur shoqërinë civile, mbështetjen diplomatike, ndihmën ushtarake dhe aksesin e privilegjuar në furnizimet ruse me energji… Aleanca joformale përfshin gjithashtu autokratë në jodemokraci më të vogla si Bjellorusia, Birmania, Hungaria, Irani, Kazakistani dhe Serbia”, shkruan Lucan Ahmad Way tek “The Rebirth of the Liberal World Order?” (Rilindja e Rendit të ri botëror liberal?)

Por për autoritarët ka shumë probleme. Në Serbi përballja e shoqërisë civile dhe e individëve të pavarur po tregon se pas narracionit liberal të Vuçiç fshihet një lider me shumë probleme, që e ka zënë për fyti opozitën. Orban, megjithë “trimërinë” e tij, e mori një paralajmërim kur iu kujtua ndihma financiare e BE-së dhe kujtimet e hidhura të largëta të vitit 1956. Kryeministri Rama po has gjithnjë e më shumë bëmat e administratës së tij dhe problematikat e mëdha, që mundohet t’i eliminojë me fushata lëbyrëse por pa substancë. Një paqësi brenda “Ballkan Open” është e mirëpritur në Perëndim dhe është e vërtetë që shumë liderë të saj e kanë vlerësuar, porse korrupsioni, klientelizmi dhe kritikat e vazhdueshme të ashpra ndaj gazetarëve e kritikëve në Beograd e Tiranë kanë treguar se liberalizimi është ende larg në vendet tona, sepse e tillë është demokracia dhe klasi që na japin indekset botërore që na klasifikojnë në rangun e “regjimit hibrid”, duke rrëshqitur tashmë me temp nga demokracia drejt autokracisë. Bash asaj që mezi iu larguam pas një lëngimi disa dekadash. (Homo Albanicus)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN