MENU
klinika

Ambasadori amerikan në Serbi

Hill: Marrëveshja e Ohrit nuk parashikon reciprocitet

29.03.2023 - 13:17

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk parashikon reciprocitet mes dy vendeve. Në një prononcim për RTV Ali, gjatë vizitës që zhvilloi në Bujanoc, Hill tha se reciprociteti ka të bëjë me qytetarët shqiptarë brenda Serbisë dhe se duhet të zgjidhet brenda Serbisë. Ambasadori shtoi se nëse Marrëveshja e Ohrit do të ketë sukses, prej saj mund të përfitojë edhe rajoni.

“Dialogu i Brukselit është një proces në vijim që nga viti 2013. Unë mendoj se BE ka marrë një detyrë shumë të vështirë dhe dialogu i Brukselit nuk parashikon reciprocitetin. Reciprociteti që ju flisni, që ka të bëjë me qytetarët shqiptarë brenda Serbisë, duhet të zgjidhet brenda Serbisë. Kushtetua e Serbisë e thotë se shqiptarët janë të barabartë me të tjerët në Serbi. Shumë njerëz në korin diplomatik vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje këtyre problemeve. Janë probleme të cilat jemi të brengosur të gjithë dhe duhet të ketë një zgjidhje. Dialogu i BE-së që kulmoi me Marrëveshjen e Ohrit, ka të bëjë me Kosovën dhe zgjedhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse është e suksesshme, mund t’i ndihmojë të gjithë rajonit. T’i ndihmojë njerëzit që të krijojnë rrethana të reja ku kufijtë nuk do t’i ndajnë njerëzit, por t’i bashkojnë. Mendoj se dialogu do të përkrahet nga një gamë e gjerë personash, ku njerëzit mund të ulen në tavolinë e të gjejnë zgjidhje paqësore për problemet,”- tha Hill.

Në takimin e 18 marsit në Ohër, kryeministri i Kosovës Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiç ranë dakort për një marrëveshje paraprake për të zbatuar të gjitha dispozitat e Marrëveshjes dhe Aneksit të propozuar nga BE. Marrëveshja me 11 nene nuk e detyron Serbinë që të njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tani, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit. Propozimi evropian që përfshin 11 pika për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë konsiderohet si një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon.