MENU
klinika

Zgjedhjet e 14 majit

Ankimimi i Alibeajt kundër regjistrimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Apeli merr vendim nesër

29.03.2023 - 10:10

Gjykata Administrative e Apelit do të vendosë nesër, më 30 mars lidhur me padinë e depozituar nga PD e Enkelejd Alibeajt, kundër regjistrimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” nga KQZ.

Pak ditë më parë Alibeaj ka ankimuar në KAS vendimin e KQZ-së për regjistrimin e koalicionin “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet vendore të 14 majit. Në shkresën drejtuar Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, ai kërkon shfuqizimin e këtij vendimi.

Alibeaj pretendon se kanë kryer shkelje të rëndë ligjore duke përdorur simbolet e PD, siglën, si dhe emrin.

Njoftim për media:

Pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, për llogari të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, është paraqitur për shqyrtim çështja Nr. 7 Akti, Datë 27.03.2023 Regjistrimi, me:

PADITËS: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Indrit Sefa;

I PADITUR: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

OBJEKTI: Shfuqizimi i vendimit nr.31, datë 21.03.2023 të KAS “Për mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore nr. 37, datë 21.03.2023 të depozituar nga “Partia Demokratike e Shqipërisë”.

Shfuqizimi i vendimit nr. 178, datë 18.03.2023 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, (BF) për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”.

Plotësimin e të metave nga ana e kërkuesit Partia e Lirisë duke ndryshuar Marrëveshjen e Koalicionit duke hequr Partinë Demokratike e Shqipërisë nga referimi në këtë dokument.

Për dijeni, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me Vendimin nr.178, datë 18.03.2023, objekt i padisë së mësipërme, ka vendosur:

“1. Regjistrimin e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” (PL – PDK – PBDNJ) “BF”, si subjekt zgjedhor pjesëmarrës në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023 me parti pjesëtare të tij si më poshtë: a)”Partia e Lirisë” (PL); b) “Partia Demokristiane e Shqipërisë” (PDK); Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ);
2. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen elektronike zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve brenda 3 (tre) ditëve nga shpallja e tij”.

Më datë 28.03.2023 u hodh shorti publik për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët:

Sokol Ibi (Relator);
2. Manjola Xhaxho (Anëtare);
3. Edlira Petri (Anëtare);
4. Esmeralda Xhili (Anëtare);
5. Alma Kolgjoka (Anëtare).
Me Vendim datë 28.03.2023 “Për caktimin e seancës gjyqësore dhe lënien afat për plotësimin e të metave të kërkesëpadisë” të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor është caktuar data 30.03.2023, ora 15:30, për zhvillimin e seancës gjyqësore në ambientet e godinës “Poli i Drejtësisë”, salla e konferencave të KLGJ-së, në adresën: Rruga “Ana Komnena”, Tiranë.

Tiranë, më 28.03.2023

Gjykata Administrative e Apelit Tiranë