MENU
klinika

Analiza

Armët bërthamore në Bjellorusi, mesazh për Perëndimin…

30.03.2023 - 09:00

Njoftimi i Vladimir Putinit se ai synon të vendosë armë taktike bërthamore në territorin bjellorus duket të jetë një përpjekje tjetër për të shtuar kërcënimet, lidhur me pasojat e konfliktit në Ukrainë – dhe pason paralajmërimet e liderit rus se Moska është e gatshme të përdorë “të gjitha mjetet e disponueshme” për të shmangur sulmet në territorin rus.

Bjellorusia tha të martën se kishte vendosur të marrë armët për shkak të presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj që synonin të ndryshonin drejtimin e saj politik dhe gjeopolitik. Minsk tha se planet bërthamore ruse nuk do të bien ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare të mospërhapjes pasi vetë Bjellorusia nuk do të kishte kontroll mbi armët.

Çfarë saktësisht do të bëjë Rusia?

Putin tha se Rusia tashmë ka ndihmuar në përmirësimin e 10 avionëve bjellorusë për t’i lejuar ata të mbajnë armë bërthamore dhe ekuipazhet e tyre do të fillojnë trajnimin për t’i përdorur ato nga 3 prilli. Ai vuri në dukje se Rusia gjithashtu i ka dhënë Bjellorusisë sistemet e raketave me rreze të shkurtër Iskander që mund të pajisen me koka luftarake konvencionale ose bërthamore.

Ai tha se ndërtimi i objekteve të magazinimit për armët bërthamore në Bjellorusi do të përfundojë deri më 1 korrik. Ai nuk tha se sa armë bërthamore do të vendosen atje apo kur do të vendosen ato.

Putin theksoi se Rusia do të mbajë kontrollin mbi çdo armë bërthamore të vendosur në Bjellorusi, ashtu si SHBA kontrollon armët e saj taktike bërthamore në territorin e aleatëve të saj të NATO-s.

Nëse Moska dërgon armë bërthamore në Bjellorusi, kjo do të shënojë dislokimin e tyre të parë jashtë kufijve rusë që nga fillimi i viteve 1990. Bjellorusia, Ukraina dhe Kazakistani trashëguan arsenale masive bërthamore pas rënies së Bashkimit Sovjetik në 1991, por ranë dakord t’i dërgonin ato në Rusi në vitet në vijim.

Cilat janë pasojat e mundshme?

Me deklaratën e tij të fundit, Putini është përsëri i varur nga kërcënimi bërthamor për të sinjalizuar gatishmërinë e Moskës për të përshkallëzuar luftën në Ukrainë.

Vendosja e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, e cila ka një kufi prej 1,084 kilometrash (673 milje) me Ukrainën, do të lejonte avionët dhe raketat ruse të arrijnë objektivat e mundshëm atje më lehtë dhe më shpejt nëse Moska vendos t’i përdorë ato. Kjo do të zgjeronte gjithashtu aftësinë e Rusisë për të synuar disa anëtarë të NATO-s në Evropën Lindore dhe Qendrore.

Masa vjen pasi Kievi është gati për një kundërofensivë për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia.

Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, paralajmëroi javën e kaluar se përpjekjet e Ukrainës për të rimarrë kontrollin mbi gadishullin e Krimesë ishin një kërcënim për “vetë ekzistencën e shtetit rus”, diçka që garanton një përgjigje bërthamore sipas doktrinës së sigurisë së vendit. Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.

What We're Watching: Russian nukes in Belarus, Israelis vs. Bibi - GZERO Media

“Çdo ditë e furnizimit me armë perëndimore në Ukrainë e sjell apokalipsin bërthamor më afër”, tha Medvedev.

Analisti ushtarak ukrainas Oleh Zhdanov tha se qëllimi i Putinit është të dekurajojë aleatët perëndimorë të Ukrainës që t’i ofrojnë Kievit më shumë armë.

Putin “po përdor shantazh bërthamor në një përpjekje për të ndikuar në situatën në fushën e betejës dhe për të detyruar partnerët perëndimorë të reduktojnë furnizimet me armë dhe pajisje nën kërcënimin e përshkallëzimit bërthamor”, tha Zhdanov.

“Pasojat do të prekin jo vetëm Ukrainën, por edhe Evropën, duke krijuar një kërcënim të vazhdueshëm, duke rritur tensionet dhe duke luajtur me nervat e ukrainasve dhe partnerëve të tyre perëndimorë”.

Burimi: Al Jazeera

Përktheu dhe përshtati: Konica.al