MENU
klinika

“Inceneratori i Elbasanit në remont, por mbetjet digjen pranë lumit Shkumbin”

BIRN: Ministrja e Mjedisit bën një sy “qorr” për krimin mjedisor

13.03.2023 - 19:55

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha të hënën se nuk ishte në dijeni të krimit mjedisor në Elbasan, ku për shkak të mosfunksionimit të inceneratorit, mbetjet hidhen dhe digjen buzë lumit Shkumbin.

Në fillim të marsit, BIRN filmoi një kamion të bashkisë së Elbasanit që i hodhi mbetjet në një vend-depozitim të paligjshëm pranë fshatit Bradashesh si dhe shtëllunga tymi që shpërndaheshin në fshat.

“Nuk i kam parë këto pamje,” tha Kumbaro pas mbledhjes së qeverisë, duke shtuar se rasti do të ndiqej pasi të njihej me të.

E pyetur se kush do të mbante përgjegjësi për krimin mjedisor dhe keqmenaxhimin e inceneratorit të Elbasanit, Kumbaro tha se kjo ishte çështje e bashkisë.

“Në çdo rast, menaxhimi i përditshëm i mbetjeve në gjithë territorin e Shqipërisë është pjesë e menaxhimit që bën çdo njësi e administratës vendore,” tha ajo.

Edhe më herët, qeveria i ka pasuar problemet me keqmenaxhimin e inceneratorëve tek njësitë vendore duke mos mbajtur përgjegjësi për mosfunksionimin e tyre.

Sipas banorëve të fshatit Bradashesh, derdhja e mbetjeve nga bashkia nuk ishte një rast i izoluar pasi makinat me mbishkrimin “Bashkia Elbasan” derdhin mbetje buzë lumit dhe më pas u vihet flaka natën duke lëshuar shtëllunga me tym të zi mbi fshat.

Ndërsa kryetari i bashkisë Gentjan Llatja mohoi që të ketë ndodhur depozitimi i mbetjeve pranë lumit dhe premtoi marrje masash për personat përgjegjës.

Inceneratori i Elbasanit u ka kushtuar taksapaguesve 26 milionë euro. Ai u ndërtua nëpërmjet një kontrate të dyshimtë partneriteti publik privat që ka dërguar pas hekura me akuza për korrupsion dhe pastrim parash 10 persona, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako.

Djegësi i mbetjeve u vendos në sekuestro preventive nga Gjykata në vitin 2021 dhe tani administrohet nga një kompani publike në pronësi të bashkive të qarkut Elbasan. Por megjithë përpjekjet e kësaj kompanie për ta rivënë në punë, impianti vazhdon të jetë jashtë funksioni.