MENU
klinika

Ja çfarë parashikon The Economist

Çfarë fitojnë bizneset nga gara e subvencioneve të gjelbra

11.03.2023 - 13:39

Verën e kaluar, udhëheqësit europianë morën një lajm të keq nga përtej Atlantikut. Ky ishte Akti i Uljes së Inflacionit (IRA), një ligj prej 725 faqesh i miratuar në gusht, për të përshpejtuar dekarbonizimin e Amerikës.

Politikanët europianë kishin frikë se industria e teknologjisë së pastër në Europë, do të hijezohej nga Amerika, me subvencionet e saj, që arrinin në rreth 400 miliardë dollarë gjatë dhjetë viteve. Për të ndaluar këtë, disa politikanë të BE-së, argumentuan se blloku do të duhej të paktën të arrinte shifrat e aktit amerikan, shkruan The Economist.

Deri tani, zhurma ka qarkulluar kryesisht vetëm mes politikanëve. Shqetësimet për një eksod të gjelbër janë zbehur. Kur krerët e qeverive të kontinentit u mblodhën kohët e fundit në Bruksel, ata nuk derdhën miliarda euro shtesë për përpjekjet e gjelbërimit të BE-së, të cilat tashmë janë të krahasueshme me aktin amerikan për nga bujaria.

Ata gjithashtu nuk zbutën as rregullat kundër ndihmës shtetërore, gjë që do të kishte nxitur shtetet anëtare, të cilat shpenzojnë më tepër. Në vend të kësaj, u përqendruan në rritjen e efikasitetit të sistemit për dhënien e parave.

Në sytë e përkrahësve europianë, bukuria e aktit amerikan nuk qëndron te madhësia, por te thjeshtësia e tij. Rregullat janë të njëjta për të gjithë Amerikën. Marrja e kredive tatimore, granteve ose kredive të buta, është e thjeshtë me kusht që një firmë të plotësojë kriteret, të tilla si investimi në një sektor të caktuar.

Ligji cakton shuma për teknologji të posaçme, si energjia diellore ose kapja dhe ruajtja e karbonit (shih grafikun). Prodhuesit e hidrogjenit “të gjelbër”, të prodhuar me energji të rinovueshme, mund të marrin kredi tatimore deri në 3 dollarë për kilogram gaz.

Imitimi i saktë i këtij organizimi do të ishte i papërfytyrueshëm në Europë. BE-ja mund ta shohë veten si një bashkim gjithnjë e më i ngushtë, por taksat janë ende një çështje kombëtare, gjë që përjashton stimujt tatimorë në mbarë kontinentin.

Nëse shtetet anëtare duan të ofrojnë kredi ose subvencione të tjera, ata zakonisht kanë nevojë për miratimin e Komisionit Europian, detyra e të cilit është të sigurojë kushte të barabarta në tregun e përbashkët të BE-së. Në grupin e skemave kombëtare, BE-ja ka shtuar së fundmi disa programe grantesh që përfshijnë gjithë bllokun, si InvestEU dhe Fondi i Inovacionit, për të mbështetur teknologjinë e pastër.

Rezultati është i bezdisshëm, veçanërisht për kompanitë më të vogla që kanë nevojë për fonde për të rritur projektet e tyre, thotë Craig Douglas nga World Fund, një firmë e kapitalit sipërmarrës, e cila ka përvojë të gjatë me burokracinë e BE-së për subvencionet.

Për të pasur një shans për të përfituar nga një mundësi financimi, firmat startup shpesh duhet të punësojnë firma konsulence të shtrenjta, për t’i ndihmuar të shkruajnë propozime për grante.

“Do të na duheshin të paktën katër persona me kohë të plotë për ta kuptuar këtë”, shpjegon Vaitea Cowan, bashkëthemelues i kompanisë Enapter, një prodhues i elektrolizuesve, makinerive që prodhojnë hidrogjen.

Pasi kryhet një aplikim, mund të duhen disa muaj ose vite përpara se të merret një vendim. Në rastin e firmës Plastic Energy, që riciklon mbetjet plastike, një herë u desh aq shumë kohë sa “dokumentet duheshin dorëzuar sërish sepse firma humbi një afat për shkak të vonesave”, raporton shefi i saj Carlos Monreal. Vendimet zakonisht vijnë pa shpjegim.

“Është një kuti e zezë. Duhet të ketë një dialog”, thotë Henrik Henriksson, shefi i kompanisë H2 Green Steel, i cili po ngre një fabrikë çeliku në Suedinë Veriore, të fuqizuar nga hidrogjeni i gjelbër. Dhe subvencionet e gjelbra të BE-së, nuk kanë synime të qarta.

Jules Besnainou nga firma Cleantech, vëren se shumica e parave nuk shkojnë për firmat startup të kontinentit, të cilat zakonisht janë më inovative, por për firmat e mëdha, të cilat jo gjithmonë kanë nevojë për mbështetjen e qeverisë.

Projektligji i komisionit “Plani Industrial i Marrëveshjes së Gjelbër”, i paraqitur më 1 shkurt, përpiqet të ndreqë këto mangësi. Plani synon të thjeshtojë programet e BE-së dhe të rregullojë miratimin e mjeteve kombëtare të financimit të gjelbër në Bruksel.

Ai propozon një ankand “të lehtë nga ana administrative” për prodhuesit e hidrogjenit të gjelbër: bazuar në ofertat e tyre, fituesit do të marrin një çmim, për çdo kilogram gaz të prodhuar gjatë dhjetë viteve.

Skema do të ofrojë stimuj në shumën prej 800 milionë eurosh (860 milionë dollarë). Duket qartë se akti amerikan IRA, e ka tronditur BE-në që të mendojë më shumë për subvencionet e saj të gjelbra, thotë Jeromin Zettelmeyer, i cili drejton firmën Bruegel në Bruksel.

Kjo mund të jetë e vërtetë. Megjithatë, ata që kanë lexuar tetë faqet që flasin mbi “përshpejtimin e qasjes në financa”, të cilat përmendin jo më pak se një duzinë programesh të ndryshme me akronime, mund të mos jenë aq optimistë.

Claudio Spadacini, shefi i Energy Dome, një firmë italiane që përdor dioksid karboni të lëngshëm për të ruajtur energjinë, i miraton lëvizjet e BE-së, por ende shpreson të përfitojë nga akti amerikan IRA. Zonja Cowan nga Enapter, firma e së cilës sapo ka ndërtuar një fabrikë në Gjermani, po merr shumë telefonata nga qeveritë e shteteve amerikane që kur u miratua akti IRA.

“Ata po na shtrojnë tapetin e kuq”, thotë ajo./MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Project Syndicate/ A do ndryshojë stili i jetës?

Klima kundrejt kapitalizmit