Superliga shqiptare e futbollit për javën e 24 ka rezervuar derbin mes Partizanit dhe Tiranës. Ndeshja më e luftuar në futbollin shqiptar luhet të hënën e 6 marsit në orën 19:00 në “Air Albania”, me përballjen që ka shumë histori mes skuadrave.
Tirana dhe Partizani kanë luajtur 168 ndeshje në histori me njëra-tjetrën në të gjitha kompeticionet dhe bilanci është në favor të “Demave” me 69 fitore. Tirana ka fituar 47, ndërsa 52 sfida kanë përfunduar në barazim. “Demat” kanë shënuar 226 gola, ndërsa Tirana ka arritur të realizojë 182 gola.
Fitorja më e thellë në derbi është triumfi i Partizanit me rezultatin 8-0 në vitin 1947. Në vitin 1985 erdhi bardheblutë u hakmorrën dhe triumfuan 7-3 në derbi. Golashënuesi më i mirë në derbi për Partizanin është Refik Resmja me 14 gola, ndërsa nga ana tjetër është Indrit Fortuzi me 11 realizime.
Derbi i tretë për këtë edicion do luhet pa golashënuesit e skuadrave. Në merkaton e janarit nga Tirana u largua Redon Xhixha (Qarabag) që mban ende vendin e parë në krye të golashënuesve me 11 gola, teksa edhe Skuka i Partizanit u largua drejt Metz (10 gola).
Ndeshja e parë e këtij sezoni mes Tiranës dhe Partizanit u fitua nga bardheblutë 0-2, me Xhixhën që shkëlqeu në këtë përballje. Në sfidën e dytë Partizani fitoi 0-1 me gol të Skukës.
Tirana me 40 pikë mban kreun e renditjes, ndërsa Partizani me 37 pikë është në vendin e dytë.