MENU
klinika

"Do e bëjmë me dy hapa, hajde me vrap në punë tani"

Deri në 249 mijë lekë në muaj! Rama rrit pagat e punonjësve të Kryeministrisë

30.03.2023 - 11:57

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me punonjësit e kryeministrisë këtë mëngjes, për të komunikuar rritjen e pagave për disa prej tyre. Në fjalën që mbajti para vartësve të kryeministrisë, Rama bëri me dije rritjen e pagave për gjashtë prej tyre. Ai tha se rritja do të procesohet me dy raunde, dnërkohë që u bëri thirrje të rinjve që të ndiqnin hapat e mëtë vjetërve në detyrë. Ajo që ra në sy është se punonjësit kishin shumë vite punë në kryeministri, më e ‘reja’ ishte Zenaida me 28 vite punë, ndërsa më e vjetra Nexmija me 44 vite punë. Pagat e rritura variuan nga 125 mijë lekë deri në 249 mijë lekë, në varësi që kishin punonjësit.

Fjala e Ramës:

Po rri një shkallë më lart që t’ju shoh të gjithëve, desha t’ju përshëndes dhe t’jua them vetë sepse u bënë kaq vite që punojmë së bashku, të gjithë punoni këtu me përkushtim, pa orar. E keni merituar prej shumë kohësh në fakt, por mundësia për ta bërë realitet është bërë vetëm tani. Ju e dini shumë mirë se sa na është dashur të kapërcejmë që të arrijmë deri këtu. Dhe për t’ju thënë që tani është koha të bëjmë një rritje rrogash domethënëse. Për të pasur një ide të domethënies kam marrë këtu disa raste konkrete duke dashur të përfitoj nga rasti edhe për të falenderuar disa prej jush që janë legjendat e këtij institucioni dhe do të doja të më ndihmonin duke ardhur këtu, më afër, një shkallë më lart. Monika që është drejtore njësie prej plot 26 vitesh, Rezari që është…i duket vetja më i gjatë se kjo…është jurist i departamentit dhe 37 vite ka këtu. Sa vjeç je? Çfarë do këtu ti, duhet të kishe dalë në pension. Pastaj kemi Vjollcën, shefe sektori. Vjollca ka 43 vjet në punë, është një shkallë më lart. Zenaida është përgjegjëse sektori, ajo ka 28 vjet. Pastaj Luljeta që është specialiste. Luljeta ka gjithë sekretet e qeverisë, pastaj dhe…E dini sa ka Luljeta këtu? 41 vjet. Por, s’keni parë gjë akoma sepse Nexhmija ka 44 vjet. Tani që t’i marrim me radhë, rritja e pagave do të bëhet me dy raunde. do të fillojmë tani dhe pjesën tjetër do ta shtojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm. Korrektimet do të fillojnë nga lart poshtë. Unë po filloj nga poshtë lart, për t’ju thënë se sa do të jetë paga e Luljetës dhe Nexhmijes në fund. Luljetës do t’i shkojë 135 mijë lekë, Nexhmijes 125 mijë lekë. Zenaidës 158 mijë lekë, Vjollca do të paguhet 149 mijë lekë. Pastaj Rezari, sa do jetë? 218 mijë lekë. Dhe pastaj Monika 249 mijë lekë. Tani këto 49-n, 48-n, 18-n, mos i merrni të mirëqena sepse do lëvizin, sigurisht për më shumë, jo më pak, sepse është duke u bërë kalkulimi ende. Paga juaj do të jetë sipas kategorive, kini parasysh nëse për zonjat këtu u desh një kohë e gjatë që të arrinim një pagë dinjitoze, për ju më të rinjtë, po punuat si këto, si këto s’punoni dot, por të paktën sa gjysme e këtyre dhe do të merrni më shumë. Sepse për ju të rinjtë po punojmë. Ky ishte Breaking Neës për sot. Tani me vrap te puna, me vrap ore jo me hap. (bëjnë foto). Ecni more përpara, gjithmonë gratë para, ju mbrapa. Ec, ec, ec…

Një ditë më parë, kreu i qeverisë konfirmoi rritjen e pagës minimale nga 1 prilli në 40 mijë lekë, ndërsa deklaroi ambicien për të ndërhyrë edhe në pagën mesatare në vend, që aktualisht është rreth 60 mijë lekë të reja. Ai tha se paga mesatare pritet të shkojë 900 euro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN