Në përvjetorin e bombardimeve, Dodik bëri thirrje për bashkimin e RS-së dhe Serbisë. Të ardhmen e shoh në bashkimin e Serbisë dhe Republikës Sërpska, tha Milorad Dodik, lider i Republikës Sërpska, entiteti ky i Bosnje e Hercegovinë’
Dodik e bëri këtë deklaratë, të premten, më 24 mars, në Sombor, ku zyrtarët e Serbisë po e shënojnë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s. Bombardimi i ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, në vitin 1999, filloi për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Në fjalimin zyrtar, Dodik përsëriti kërcënimet për shkëputjen e Republikës Sërpska(RS).
“Tani ata duan të rrëmbejnë pronën, ndërkaq unë u them – në momentin që ju përpiqeni të rrëmbeni pronën tonë, ju keni thirrur një seancë të Kuvendit të Republikës Sërpska, ku do të marrim një vendim për pavarësinë e Republikës Sërpska. Mjaft më me premtimet e juaja të rreme, nuk do t’ju shikoj dhe nuk do t’ju duroj”, tha Dodik.
Mesazhi i tij vjen një ditë pas vendimit të Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britaninë e Madhe dhe publikimit të një projektligji që detyron organizatat joqeveritare të raportojnë të gjitha transaksionet që financohen nga jashtë. Vendimi është marrë në seancën e qeverisë së këtij entiteti, të enjten, më 23 mars, në Banja Llukë.
“Ata duan vetëm një gjë, që serbët të largohen. Rroftë ideja e bashkimit të popullit serb. Dhe ne duam të bashkohemi. Do ta bëjmë në mënyrë paqësore”, tha Dodik.
Në vargun e vendimeve të diskutueshme, Asambleja e RS miratoi gjithashtu një projektligj, me të cilin shpifja dënohet penalisht, me gjoba deri në 60,000 euro. Ndaj ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike dhe shënjestrimit të organizatave joqeveritare, ndër të parat ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Sarajevë, e cila tha se njoftimet e kryetarit të Republikës Sërpska janë “edhe një hap tjetër në rrugën e rrezikshme që ai zgjodhi – rruga e izolimit dhe e sundimit autoritar”./REL