MENU
klinika

Aksidenti tek TEG

Drejtori i ARRSH: Nuk ka barrierë që të mban me atë shpejtësi!

16.03.2023 - 22:54

Drejtori i ARRSH-së Evis Berberi ka folur këtë të Enjte në studion e Klan News edhe për aksidentin tragjik tek rrethrrotullimi i TEG-ut.

Berberi u shpreh se barrierat e sigurisë në atë rrethrrotullim ishin mbi normën e kërkuar, duke shtuar se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe e automjetit.

Ai tha se nëse këndi i goditjes në barrierë është më i madh se 40 gradë, barriera e humbet fleksibilitetin e saj dhe nuk e kthen dot automjetin brenda rrugës.

Pyetje: Meqë jemi tek aksidentet, dua të të pyes pak për aksidentin tragjik te rrethrrotullimi i TEG-ut, aty shpejtësia ishte shumë më tepër normave të lejuara, kuptohet një përgjegjësi e vetë drejtuesit të mjetit, por ka pasur një diskutim sa i përket cilësisë së barrierës mbrojtëse. Duke qenë se aty nuk kishte një frenim dhe fluturimi ndodhi thuajse lehtësisht, si është cilësia e barrierave të vendosura në Unazën e Madhe, dhe edhe te rrethrrotullimi saktësisht?

Berberi: Fatmirësisht në atë moment në atë rrethrrotullim, kushdo mund të shkojë ta vërtetojë, barrierat e sigurisë janë mbi normën e kërkuar. Pra, nëse në projekte, në normat e kërkuara të qarkullimit rrugor dhe kodit rrugor, barrierat rrugore ishin një kategori më poshtë, ne i kemi vendosur një kategori akoma më të lartë se ç’ishte parashikuar. Por, barrierat rrugore kanë një parim.

Pyetje: Si llogaritet kjo?

Berberi: Llogaritet për shkak të shpejtësisë së lëvizjes, forcës së energjisë kinetike që do të transformohet në energji statike, që do të mbaje kjo barrierë. Dhe kjo përkthehet në një kategori, kemi kategori H2, H3, H4. Barrierat aty janë H4, pra që është më e larta e mundshme, edhe pse jemi në një qytet me lëvizshmëri shumë më të vogël, duke qenë se është mbikalim kemi vendosur standardin e një ure me një shpejtësi lëvizje shumë më të madhe. Barriera rrugore ka një problem, nuk është llogaritur asnjëherë që ti do shkosh në barrierat rrugore, do ngulesh drejtpërdrejtë 90 gradë dhe barriera rrugore do të të mbajë. Barriera rrugore është bërë e tillë që të të kthejë brenda në rrugë ty.

Pra ka një kënd goditje të caktuar, nëse është një kënd më i madh sesa diku më duket 40 gradë, këndi i goditjes. Automatikisht fillon dhe humbet fleksibilitetin e vet, sepse pritet. Ti ke shkuar me 150 km/h, edhe po të kishim vendosur një mur ne atje do të ishte shtypur makina. Prandaj ne vendosim barrierat mbrojtëse. Të gjitha makinat e para viteve ’80 nuk deformoheshin, dhe dëmtimet i merrnin gjithmonë pasagjerët, atëherë ndodhi e njëjta gjë me barrierat, janë parashikuar që të godasësh, ato të deformohen dhe ti të kthehesh brenda për shkak të elasticitetit që kanë. Nuk ka barrierë rrugore që të mban me atë shpejtësi.

Kujtojmë se aksidenti tragjik që u mori jetën 3 të rinjve ndodhi mbrëmjen e 9 Marsit të këtij viti. Automjeti Audi A8, drejtohej nga 20-vjecari Klevis Ruçaj. Si pasojë e përplasjeve plot 4 herë të automjetit, i riu ndërroi jetë bashkë me dy pasagjeret, Erisilda Abedini 22-vjeçe dhe Sikela Përroj 23-vjeçe. Audi lëvizi me shpejtësi tej normave të lejuara nga Unaza Lindore në drejtim të rrethrrotullimit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Romeo Kara 'shpërthen' ashpër: I duket vetja i paprekshëm

“SPAK ta kishte kapur Metën dhe bandën e tij prej veshësh…”

Balluku: Nuk do të ketë funksion fitimprurës!

“Shkrihet” AlbControl, krijohet një ent i ri