Kundërshtojnë rritjen e pagave, shpërblimet, rritjen e investimeve, mbështetjen e biznesit, kundërshtojnë mbështetjen financiare të shtresave në nevojë, dhe çdo rritje tjetër që mundëson përmirësimin e jetës së shqiptarëve. Këtë e bën vetëm partia e “djathtë”, që e ka emrin Partia Demokratike në Shqipëri. Epo parti e djathtë, që ka gjoja në program “mbrojtjen e interesave të individit, biznesit, pensionistëve”, dhe që kundërshton çdo nismë të qeverisë, dhe nxin çdo program mbështetës ndaj qytetarit, vetëm partia e Berishës do të mbahet mënd. Ka 32 vjet që thotë “rrita rrogat dhe pensionet sa isha në pushtet, rrita mirëqenien e popullit”….
Por e dimë dhe e mbajmë mënd të gjithë si ishin rrogat dhe pensionet në kohën e qeverisjes së PD, e kujtojmë se si masakrohej mbështetja financiare ndaj shtresave në nevojë, se si mbusheshin borderotë me militantë dhe njerëz që kishin nga 2-3 makina të shtrenjta, dhe hallexhinjtë liheshin rrugëve. E dimë se si, diskriminohej biznesmeni i ndershëm, dhe u lihej dorë të lirë për të abuzuar me pagat, faturat e energjisë, ujit dhe taksat, biznesmenëve të Partisë Demokratike. Por ajo që nuk ndryshon aspak në drejtimin ideologjik të asaj partie, është fakti se Partia Demokratike funksionon sot, si një parti leniniste.
Në çdo formë dhe pikëpamje, brënda saj ekziston fryma e persekutimit ndaj çdo qeverie që mbështet reformat, nismat e mbështetjes financiare ndaj qytetarëve e biznesit. Ajo parti mbetet në kufinjtë e cungimit të mirëqenies së popullit, dhe harresës së shtresave në nevojë. Rritja e pagave, pensioneve dhe shpërblimet edhe në kohë krize, mbeten premtime të realizueshme dhe të pakthyeshme të kryeministrit Edi Rama.
Duke mos u ndikuar aspak nga fushata elektorale, (pasi nuk i trembet përballjes me një opozitë të shpërbërë) Edi Rama, po bën realitet premtimet e dhëna, duke gëzuar jo vetëm të punësuarit, por edhe pensionistët dhe ata që trajtohen me ndihma ekonomike. Të dalësh vazhdimisht kundër rritjes së pagave, rritjes së pensioneve, kundër shpërblimeve dhe mbështetjes financiare ndaj biznesit, tregon se je super i majtë, dhe se ke mendësinë e një partie leniniste.
Në demokraci dhe sistemin e ekonomisë së tregut, qeveritë janë rregullatorë të ndryshimeve dhe krizave ekonomike dhe financiare, pasi janë përgjegjëse të zbatimit të programeve zhvillimore të vendit. Qeveria është përgjegjëse e ruajtjes, shmangies dhe thellimit të krizave ekonomike, por duke mos harruar rritjen dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të saj.
E vetmja parti, që gjithmonë ka baltosur çdo iniciativë dhe nismë të qeverisë, për rritje pagash, pensionesh, apo mosndalimin e investimeve edhe pse në kohë krizash, mbetet partia e Sali Berishës, leninistit të fundit në skenën politike shqiptare.