Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit dhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar beson se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, është plotësisht e realizueshme këtë vit.
“Këtë vit. Dhe mendoj se është plotësisht e mundur”, u shpreh Escobar para gazetarëve në Beograd.
Escobar nënvizoi se bashkimi i komunave me shumicë Serbe do të realizohet dhe se pyetja e vetme është se sa shpejt do të ndodhë diçka e tillë.
“Kur flas për këtë si kërkesë, nuk dua të provokoj një konfrontim apo ta minoj si sfidë. Fakti është se Asociacioni figuron në Marrëveshjen e Brukselit. Është pjesë e konkluzioneve të këshillit politik dhe të SHBA-së. Do të realizohet, pyetja e vetme është se sa shpejt do të realizohet.
Pjesa e dytë është se çfarë modeli do të aplikohet. Përfaqësuesi Special i BE-së dha disa shembuj të ndryshëm se si funksionon ky lloj komuniteti në BE, për të dhënë të drejtat e pakicave për të vendosur vetë fatin e tyre, kjo duhet të ndihmojë në afrimin e vendeve dhe ne do të donim që një nga ato modele të shërbejë si model edhe për Asociacionin”, theksoi ai.