Punimet në Tunelin e Llogarasë po vijojnë me ritme të shpejta, ndërsa pas hapjes 100% të tubit të parë në tunelin me gjatësi prej 6 km, vijojnë punimet për hapjen e tubit të dytë i cili deri tani ka arritur në 4.670 metra. Kështu bën me dije kryeministri Edi Rama, ndërsa ka publikuar disa foto nga Tuneli i Llogarasë, dhe thekson se në total janë hapur 9 tunele lidhëse nga 11 gjithsej.
‘Mirëmëngjesi dhe nga Tuneli i Llogarasë, ku pas hapjes 100% të tubit të parë në tunelin me gjatësi prej 6 km vazhdojnë punimet për hapjen e tubit të dytë i cili deri tani ka arritur në 4.670 metra, dhe ku në total janë hapur 9 tunele lidhëse nga 11 gjithsej, ju uroj një fundjavë të mbarë!’- shkruan Rama.
Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare 1.17 m të gjerë. Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, si dhe i pajisur me sistem ajrimi, si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore. Përgjatë tunelit të trafikut ka 11 kalime lidhëse tërthore me tunelin e emergjencës, 5 janë për mjetet dhe 6 për këmbësorët.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri, Edi Rama bëri me dije se gërmimet do të përfundonin në fillim të këtij viti. Punimet kanë nisur në fund të Nëntorit të vitit 2021. Ky investim konsiderohet si ndër më të rëndësishmet infrastrukturore për jugun e vendit, që pritet të shkurtoj distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta. Tuneli pritet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash dhe do të ketë një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit të jugut të Shqipërisë.