MENU
klinika

Ja cilat vende e pasojnë

Holanda kryeson investimet e huaja për të katërtin vit radhazi

29.03.2023 - 10:01

Holanda ishte investitori më i madh i huaj në Shqipëri për të katërtin vit radhazi. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet holandeze vitin e kaluar arritën vlerën e 219 milionë eurove, ose 16% të fluksit total të investimeve të huaja.

Investimet e kompanive me aksionerë holandezë pësuan rënie me 7.6% krahasuar me një vit më parë, por sidoqoftë Holanda ngelet investitori me ecurinë më të qëndrueshme mes investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare vitet e fundit. Stoku i investimeve holandeze ka arritur në rreth 1.87 miliardë euro, në rritje me 19.8% krahasuar me një vit më parë.

Kryesimi i investimeve holandeze në vitet e fundit lidhet shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.

Sipas ekspertëve, Holanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë. Kjo i ndihmon kompanitë për të shmangur ndërlikimet tatimore në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera.

Gjithashtu, Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani. Edhe për këtë arsye, disa prej kompanive që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Holandë.

Me përjashtim të pak rasteve të veçanta, shumica e investimeve holandeze i takojnë në mënyrë të tërthortë investitorëve nga vende të tjerë. Disa prej kompanive më të rëndësishme me aksionerë të regjistuar në Holandë janë Devoll Hydropower, Vodafone Albania, American Hospital, Karavasta Solar, etj.

Italia ishte investitori i dytë më i madh për vitin 2022, me një fluks total prej 136 milionë eurosh. Investimet italiane pësuan rënie me 4.2% krahasuar me një vit më pare, por edhe Italia ngelet në vazhdimësi një investitor me peshë në ekonominë shqiptare. Investimet italiane janë të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve.

Stoku i investimeve italiane ka arritur tashmë në 1.2 miliardë euro, në rritje me 20% krahasuar me një vit më parë.

Investitori i tretë më i madh për vitin e kaluar vit ishte Gjermania, me një fluks investimesh të reja prej 91 milionë eurosh. Investimet gjermane janë rritur me 107% krahasuar me një vit më parë.

Investitorë të rëndësishëm gjermanë në Shqipëri janë të pranishëm në tregun bankar, në atë zhvillimit të pasurive të paluajtshme, në shërbimet postare, ato të konsulencës financiare, etj. Të matura si stok, investimet gjermane kanë arritur në 311 milionë euro, 50% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Investitori i katërt më i madh i huaj për vitin e kaluar ishte Austria, me një total investimesh prej 82 milionë eurosh, në rritje të lehtë me 18% krahasuar me një vit më parë. Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, me grupet Uniqa dhe Vienna Insurance Group, në sektorin energjetik, me Energji Ashta (Verbund), në shërbimet e hotelerisë, me Rogner dhe në sektorin e ndërtimit, me kompaninë Trema Engineering 2 (Strabag).

Stoku i investimeve austriake arriti në 710 milionë euro, në rritje me 12.3% gjatë vitit 2022.

Investitori i pestë më i madh i huaj në Shqipëri vitin e kaluar u rendit Kosova, me 63 milionë euro, në rritje me 54% krahasuar me një vit më parë. Investimet e Kosovës në vitet e fundit po ndjekin një tendencë në rritje.

Kompani të rëndësishme kosovare janë pranishme kryesisht në sektorin e tregtisë apo të grumbullimit me shumicë të fruta-perimeve. Stoku i investimeve kosovare ka arritur në 212 milionë euro, në rritje me 53% gjatë vitit të kaluar.

Të tjera shtete që kanë vlera të rëndësishme investimesh në Shqipëri janë të mbuluara nga detyrimet konfidencialitetit në legjislacionin për statistikat zyrtare.

Ky detyrim lidhet me rastet kur të dhënat i takojnë një ndërmarrjeje të vetme, për të mos lejuar identifikimin e saj. Investitorë të rëndësishëm për të cilët të dhënat mbulohen nga detyrimet e konfidencialitetit mund të jenë kryesisht Kanadaja dhe Hungaria.

Në Kanada është e regjistruar kompania që kontrollon Bankers Petroleum Albania, një nga investitorët më të rëndësishëm të huaj në dy dekadat e fundit. Megjithëse ajo është blerë nga një kompani kineze, transaksioni është realizuar në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet kontrollit të kompanisë mëmë në Kanada.

Për këtë arsye, teknikisht Bankers Petroleum klasifikohet ende si një kompani kanadeze. Të dhënat mbi investimet kanadeze janë të disponueshme vetëm për stokun e tyre, që sipas Bankës së Shqipërisë në fund të vitit 2022 arriti në 1.45 miliardë euro, në rritje me 20% krahasuar me një vit më parë.

Shembull tjetër është Hungaria. Me blerjet e realizuara nga kompania 4iG vitin e kaluar në sektorin e telekomunikacioneve, Hungaria është bërë një investitor i rëndësishëm në Shqipëri. Megjithatë, edhe në këtë rast, pjesa më e madhe e aksioneve të ONE Albania kontrollohen në mënyrë të tërhtortë, nëpërmjet shoqërisë holding të regjistruar në Bullgari Albania Telecom Invest AD.

Stoku i investimeve hungareze në fund të vitit 2022 arriti në 295 milionë euro, 159% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërsa stoku i investimeve bullgare (në pjesën më të madhe të kontrolluara tërthorazi po nga 4iG) në fund të vitit të kaluar arriti në 716 milionë euro, 5% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Marrë nga Monitor.al