MENU
klinika

Takimi në Ohër

Bushati: Plani evropian duhet të ishte më i detajuar

21.03.2023 - 10:59

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati thotë se plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ishte më i detajuar dhe me afate konkrete. I ftuar në emisionin “Lufta dhe Paqja” në ABC News, Bushati u shpreh se pas takimit në Bruksel, pritej që në Ohër të kishte një dokument të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Sipas Bushatit, tashmë Bashkimi Evropian, në këtë proces nuk është vetëm në rolin e ndërmjetësuesit, por është përfshirë si palë e tretë.

“Natyrisht, takimi i Ohrit vjen pas takimit të Brukselit ku pritshmëritë ishin për të pasur një dokument mbi zbatimin e marrëveshjes, që nuk u firmos, por ra dakord në takimin e Brukselit. Në këtë kontekst, dua të veçoj që qoftë dokumenti i Brukselit apo i Ohrit, janë dy dokumente pa firmat e palëve pjesëmarrëse. Më duhet të them gjithashtu që, plani i zbatimit është disi i vakët, pritej që të ishte më e detajuar, me afate konkrete dhe me masa konkrete. Element interesant është fakti që BE, me këtë proces ka kaluar në një rol të trefishtë. Jemi mësuar ta shohim në pozicionin e ndërmjetësuesit mes Serbisë dhe Kosovës”, theksoi ai.