MENU
klinika

Nga Astori te Barreneçea

Ja të gjithë të rinjtë që ka “lëshuar” Alegri!

03.03.2023 - 14:54

Kur kanë parë formacionin e titullarëve për Juventus-Torino, shumë prej tifozëve bardhezi do të kenë menduar se ndoshta është bërë ndonjë gabim në listën e dërguar nga drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” te komisarët e garës, por jo.

Enzo Barreneçea ishte vetëm basti i radhës i Masimiliano Alegrit, për sa u përket të rinjve të talentuar. Trajneri livornez di se si të frymëzojë dhe t’u japë nga një shans futbollistëve të rinj që kanë jo vetëm cilësi, por edhe shumë vullnet për të luajtur. Dhe te Juventusi janë disa përveç Barreneçeas, ndonëse diçka të tillë e ka bërë edhe në aventurat e tij të tjera në Serinë A, nga Kaljari e Milani, por le të hyjmë në specifika.

FEDERIKO MARKETI – Sezoni i parë në Serinë A për Alegrin nis shumë keq: 5 humbje radhazi. Në portë ai lëshon debutuesin Federiko Marketi, të cilit i jep besim të plotë.

DAVIDE ASTORI – Ishte 14 shtator 2008, me Maks Alegrin që habit duke hedhur titullar 21-vjeçarin në qendër të mbrojtjes. I ndjeri Astori nuk zhgënjen, ndonëse në fund Siena mund Kaljarin 2-0.

RAZHA NAINGOLAN – Kaljari luan dhe humb 3-0 në “San Siro” kundër Interit, por më 27 janar 2010 Alegri i dhuroi debutimin e ëndërruar Naingolanit, i cili po të mos ishte për karakterin e tij joserioz, do të kishte bërë një karrierë të madhe.

ALEKSANDËR MERKEL – Më 6 janar 2010 Alegri zgjedh Merkelin nga skuadra e të rinjve të Milanit, që të luajë titullar ndaj ish-skuadrës së tij, Kaljarit, për të zëvendësuar as më shumë e as më pak se Klarens Sedorfin.

BRAJAN KRISTANTE – Më 6 dhjetor 2011, radha e Brajan Kristantes nga të rinjtë kuqezi, për të debutuar në Champions, ndaj Viktoria Plzen. Ishte vetëm 16 vjeç e 9 muaj.

ANDREA PETANJA – Edhe sulmuesi debutoi në Champions, në 4 dhjetor 2012-ën kur ishte vetëm 17 vjeç.

MATIA DE SHILJO – Në të njëjtën datë me Petanjën shkel fushën si profesionist edhe mbrojtësi, të cilin Alegri e mori me vete edhe te Juvja.

KINGSLEJ KOMAN – Më 30 gusht 2014 surprizon me Komanin, i cili edhe pse erdhi si një përforcim i ekipit të të rinjve, e gjen veten titullar në ndeshjen e parë të kampionatit, me ekipin e parë.

FEDERIKO MATIELO – Në aventurën torineze bëri shumë të rinj që të lumturoheshin, ku pas Komanit ishte radha e mbrojtësit Matielo, në kampionat më 9 nëntor 2014.

MATIA VITALE – Më 11 mars 2011 tjetër emër surprizë, sërish në kampionat.

ANDREA FAVILI – Tek ai besonte shumë dhe e propozoi disa herë në minutat finale në sulm, por sulmuesi në 2014-ën nuk e shpërbleu.

MOIS KEN – Një ndër më të fortit edhe sot, pasi jo më kot i dhuroi debutimin në moshën 16 vjeç e 9 muaj (19 nëntor 2016), në kampionat, por i besoi sërish pas tri ditësh, në Champions.

EMIL AUDERO – Sot është portieri titullar i Sampdorias, por ai që i dha reklamën e duhur ishte sërish “Konti Maks” më 30 nëntor 2014.

FABRICIO KALIGARA – Këtë e adhuronte, por edhe pse i dha një shans në Champions, te Juvja, pas asaj ndeshjeje Kaligara humbi si me magji.

HANS NIKOLUSI KALVILJA – I dërguar te Salernitana për të bërë stazhin, por është një nga të përkëdhelurit e Maksit.

PAOLO GOXI – Më 13 prill 2019 luajti titullar ndaj SPAL-it, por ishte viti në të cilin do të largohej dhe Goxi humbi më pas.

STEFAN MAVIDIDI – 21 minuta kundër SPAL-it për sulmuesin, i cili menjëherë pas tyre u transferua në Ligë 1.

MANOLO PORTANOVA – Një 18-vjeçar interesant, por edhe ai në huazim diku larg Juves.

KONI DE VINTER – Nëse nuk do të ishte dëmtuar rëndë në fazën përgatitore, do të ishte pjesë e skuadrës së parë këtë sezon.

MATIAS SOULE – Datëlindja 2003 dhe shumë klas në të majtën e tij. Pas debutimit dy vite më parë, Alegri e merr gjithmonë me ekipin e parë.

MARKO DE GRACA – Shijon muzikën e Champions-it në 2021-shin.

FABIO MIRETI – Aktualisht i dëmtuar, por në fillim të sezonit ishte titullari dhe truri i lojës bardhezi, sipas Alegrit.

MARTIN PALUMBO – Tjetër i bekuar nga zgjedhja e trajnerit bardhezi.

SAMUEL ILLING – I mjaftoi një ndeshje këtë sezon, për të shpërthyer në shpejtësi në korsinë e majtë dhe Alegri urdhëroi zgjatjen e kontratës me anglezin. Me 20 minuta fitoi skuadrën e parë.