MENU
klinika

Berisha: Ndahemi përfundimisht nga ata që bashkëpunuan me Ramën

Kandidatët e dalë nga “Primaret”, hyjnë në zgjedhjet lokale me koalicion

06.03.2023 - 11:22

Kandidatët e zgjedhur nga “Primaret” do të hyjnë në zgjedhjet lokale të 14 majit me koalicion.

Këshilli Kombëtar vendosi dje për këtë formulë teksa koalicioni do të orientohet që të bëhet me parti të djathta. Vendimi për t’u futur në koalicion erdhi dy ditë pas vendimi të Gjykatës së Apelit, e cila i dha vulën e PD-së, grupit të Alibeajt. Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, pas përfundimit të mbledhjes njoftoi se koalicioni do të bëhet me parti si PL apo PBDNJ, ndërsa theksoi se regjistrimi në KQZ do të bëhet që sot.

“Ne do të hyjmë në zgjedhje. Një nga format ishte ajo e hyrjes në zgjedhje me koalicion. Kishte edhe zëra për hyrje në zgjedhje me kandidatë të pavarur dhe me koalicion, por që nuk kishte mbështetje të gjerë. Këshilli mori vendim që do të hyhet me koalicion. Ngarkoi kryesinë për t’u marrë me këtë çështje. Janë disa parti me të cilat ne kemi marrëveshje. Partitë që ne kemi marrëveshje janë PL-ja, Partia për të Drejtat e Njeriut, etj.”, deklaroi z. Paloka.

SHKRESA
Partia Demokratike të regjistrohet në KQZ si subjekt zgjedhur për zgjedhjet lokale të 14 majit. Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar, ku u mor vendimi që kandidatët e “Primareve” të futen në zgjedhjet e 14 majit me koalicion, Sali Berisha bëri hapin e radhës. Këtë herë të sfidojë vendimin e Gjykatës së Apelit. Kërkesa u dorëzuar në KQZ nga dy përfaqësuesit ligjor në KQZ, Ledio Nuraj dhe Franc Nuri. Dy përfaqësuesit ligjor bënë me dije se depozituan në KQZ dokumentacionin për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje.

“Në cilësinë e përfaqësuesve ligjorë të PD depozituam kërkesën për regjistrimin e subjektit zgjedhor të PD-së në zgjedhjet lokale. Kjo kërkesë është firmosur nga kryedemokrati Berisha. Kemi përgatitur edhe dokumentacionin ligjor, në bazë të afateve që janë vendosur, datës 6 mars”, tha një nga përfaqësuesit ligjore pas dorëzimit të shkresës. Shkresa mban firmën e Sali Berishës dhe thuhet se i kanë paraqitur KQZ dokumentacionin provues legjitimitetin e organeve drejtuese të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në shkresë thuhet se Sali Berisha është personi i vetëm që mund të paraqesë për regjistrim, në emër të PD, kandidaturat për kryetar të bashkive dhe listat e këshilltarëve për çdo zonë zgjedhore.

SKENARI
Para anëtarëve të Këshillit Kombëtarë të PD-së, Sali Berisha zbardhi strategjinë sipas tij të Lulzim Bashës që sot të shkojë në gjykatë për të dhënë dorëheqjen dhe për të caktuar Alibeajn si kryetar të PD-së. Gjatë fjalës me dyer të mbyllura mësohet se Berisha është shprehur se Lulzim Basha do të shkojë që sot në gjykatë për të dhënë dorëheqjen si kreu I PD-së. “Ne sot do paraqesim në KQZ kërkesën për regjistrimin e PD në zgjedhje sepse kjo bazohet ne faktin se nuk është në fuqi vendimi gjykates dhe ata ( grupimi Bashës) sipas kodit zgjedhor nuk mund te regjistrohen.

‘Brava’ ka dhënë dorëheqjen dhe e ka mbajtur peng Rama, dhe nesër ai do të shkojë në gjykatë dhe do të pranojë që ka dhënë dorëheqjen. Nesër ai cakton Alibejan si kryetar. Kjo s’ka bazë ligjore. Qellimi me madhor ishte bashkimi. Basha ishte peng. Edhe sot mund ti çohet dosja nga e para për larje parash. Nga 720 mijë dollarë vetëm 25 mijë dollarë kanë hyrë në arkë të PD-së. Ne s’mund të gjejmë burimin por ai transaksion nuk është bërë legal nga arka dhe kontot bankare të PD.

Auditi ka dorëzuar raportin para 2-3 ditësh. Kur hyra në seli i pari qe kam takuar ishte ai. U përpoqa, por njësoj…Tani gjërat do marrin vendin e vet. Çdo kandidat i tyre është i Ramës. E ka shprehur në mënyrë të turpshme kandidati i Dibrës që e kemi pas kryetar partie prej vitesh, ai ka thënë se duhet t’i dëmtojmë në zgjedhje”, mësohet të jetë shprehur Sali Berisha. Ai paralajmëroi ndarjen përfundimtare nga ata që sipas tij bashkëpunuan me Ramën! “Përveç Bashës dhe Alibeajt që s’do kenë vend në PD se janë bërë vegla të Ramës, kushdo që do të afrohet ne e mirëpresim pa hezitim”, tha Berisha. Kreu i PDsë, paralajmëroi Kryeministrin Edi Rama se pavarësisht se ka konfiskuar vulën e PDsë, nuk do të mund të shpëtojë nga PD-ja.

Gjatë takimit me kandidatët e PD-së për kryetar bashkie, dhe më pas me Këshillin Kombëtar të PDsë Berisha nënvizoi se Rama mendon se e ka goditur opozitën e vërtetë me vendimin e parafabrikuar për vulën, por është tërësisht e kundërta sipas kreut të PDsë. “Duke menduar se, do mund të na pengojë, të marrim pjesë dhe të fitojmë zgjedhjet e 14 majit si burracak, ai shtyu gjer tri ditë para skadimit të afatit vendimin e parafabrikuar të Gjykatës së kontrolluar 100 % prej tij dhe konfiskoi vulën e partisë mendoi se me këtë akt na dha një goditje dhe shpëtoi nga opozita e vërtetë. E vërteta është e kundërta. S’do të shpëtojë kurrë nga PD-ja”, tha Berisha. Kreu demokrat akuzoi se, gjykatësit e Apelit kishin lexuar një shkresë të Elira Kokonës, këshilltare juridike e Ramës. Sipas Berishës, ajo është një eksponent i rrezikshëm i mafies së Ramës.