Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS ka marrë vendim të enjten e 16 Marsit që në zgjedhjet lokale të 14 Majit të regjistrohet PD e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Relatori Koli Bele tha se vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe se KQZ duhet të regjistrojë PD e Alibeajt.
“Në emër të KQZ, KAS me shumicë votash vendosi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës ankimore 32 të ankuesit PD me përfaqësues Indrit Sefa.
PD të depozitojë në KQZ dokumentacionin si më poshtë:
deklaratën me të dhënat për nënrkeytarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar
deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga nënkryetari Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar.
Detyrimin e Komisionerit të regjistrojë subjektin zgjedhor PD me nënkryetar Enkelejd Alibeajn në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, u shpreh ai.
Enkelejd Alibeaj në reagimin e parë pas këtij vendimi të KAS tha se “është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit”.
Në një postim në rrjetet sociale, Alibeaj tha se vonesa e shkaktuar nga Celibashi “është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese”.
Alibeaj ka përsëritur thirrjen për kandidatët demokratë, “pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale”.
“Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës”, thekson Alibeaj.
Reagimi i Enkelejd Alibeaj:
Vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vonesa gati dy javore për këtë proces, me autor kryekomisionerin Celibashi është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese.
Me këtë rast, edhe njëherë ftojmë të gjithë kandidatët demokratë, pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale. Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës.