Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve do të shqyrtojë javën e ardhshme dy kërkesat e grupimeve brenda Partisë Demokratike për regjistrimin në zgjedhjet e 14 majit.
Pas hedhjes së shortit rezultoi që kërkesën e grupimit të Berishës, që të jetë ai përdoruesi i logos së Partisë Demokratike në këto zgjedhje, do ta relatojë Ilir Rusmali.
Ish ministri i Berishës por “i divoruar” prej tij vite më parë dhe së fundmi “i djegur” nga ish kryeministri në garën për Avokat të Popullit do të paraqesë kërkesën për logon e PD-së si dhe argumentet e tij se kush duhet ta përdorë atë në 14 maj.
Në të njëjtën kohë KAS përmes relatorit Koli Bele do të shqyrtojë kërkesën e grupit të Enkelejd Alibeajt i cili apeloi një vendim të KQZ-së që kërkonte firmën e Bashës në një nga dokumentet e paraqitura për regjistrim.
Kujtojmë se dje në kërkesën e tij Enkelejd Alibeaj kërkonte shfuqizimin e vendimit të KQZ-së për mosregjistrimin si subjekt zgjedhor.
KQZ shtyu vendimin për regjistrimin e PD në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa i la 48 orë në dispozicion për plotësimin e dokumentacionit, por kjo gjë nuk ndodhi.
Përfaqësuesi ligjor i grupimit të Alibeajt Indrit Sefa deklaroi nga jashtë ambienteve të KQZ se nuk do depozitohej asnjë dokument shtesë nga ana e palës së tij dhe se dokumentacioni i depozituar është i plotë.
Rezultatet e shortit percaktuan:
relator te kerkeses nr. 29 (Kerkesa e PD depozituar nga z. Sali Berisha), z. Ilirjan Rusmali;
relator i kerkeses nr.30 (kerkesa e partisë “Levizja Bashke”, z. Elvis Çefa;
Relator i kerkeses nr. 31 (kerkesa “Partia Demokratike e Shqiperise”, perfaqesuar nga z. Enkelejd Alibeja), z. Koli Bele.