MENU
klinika

“Gati për luftë”

KFOR-i “dërgon” trupat në Gjakovë e Prizren, stërvitje masive

11.03.2023 - 18:05

Për tre ditë rresht, nga data 14 deri në 17 mars trupat e KFOR-it do të testojnë gatishmërinë e tyre për një situatë kritike në terren.

Stërvitja ushtarake do të kryhet nga Komanda Rajonale e Kontingjentit Shumëkombësh Perëndimor me në fokus përgatitjen e njësisë. Trupat dhe automjetet e misionit të NATO-s në Kosovë do të pozicionohen në komunat e Istogut, Gjakovës dhe Prizrenit.
Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizjen tokësore gjatë ditës dhe natës, si dhe fluturime me helikopterë mbi qytetet e Gjakovës, Deçanit, Shtërpcës dhe Rahovecit. Do të ketë gjithashtu kolona automjetesh të përbëra nga pajisje të rënda inxhinierike që kalojnë tranzit në rrugët kryesore dhe dytësore brenda rajonit.

“KFOR-i kryen ushtrime të tilla rutinë për qëllime stërvitore dhe trajnimi, për të ofruar reagim me kohë dhe në mënyrë të sigurt. Misioni do të përpiqet për ndikim minimal në popullatën civile dhe të kufizojë çdo ndërprerje të aktiviteteve komerciale”, thuhet në njoftim.
KFOR-i thekson se mbetet i fokusuar çdo ditë në zbatimin dhe ushtrimin e mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Stërvitja vjen në një kohë kur janë shtuar përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë, në vazhdën e një viti të vështirë, të shënjuar nga përshkallëzime të herëpashershme tensionesh, të cilat shtuan ndjeshëm frikën e shpërthimit të një konflikti mes dy vendeve dhe destabilizimit të rajonit.