MENU
klinika

"Këshillat bashkiakë do kthehen në parlamente reale"

Koalicioni me Berishën, Meta: Do sigurojmë fitore historike

16.03.2023 - 21:26

Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një tryezë me kandidatët për këshillin bashkiak të Tiranës. Meta u shpreh se këto këshilla do të kthehen në parlamente të vërtetë për të zgjidhur problemet e qytetarëve.

“Nuk është diçka e re koalicioni ynë me Partinë Demokratike sepse është një koalicion i firmosur prej disa muajsh. Ka të bëjë me transformimin e këshillave bashkiakë në parlamente të vërteta vendore ku do të flasin vetë qytetarët nga tribuna e këshillit të bashkisë për problemet që ata ndeshin. Për padrejtësinë që kanë ndeshur dhe do u jepet zgjedhje shqetësimeve të tyre dhe jo klientelës së kryebashkiakëve dhe qeverisë në largim”, tha Meta.

Ai foli edhe për arrestimin e kryebashkiakut të Bulqziës Lefter Alla për shkak të abuzimit me tenderat publikë.

“Gati 1/3 e bashkisë së Bulqizës u arrestua mbrëmë por mos harroni se shumica nuk janë në detyrë. Disa prej tyre kanë përfunduar para drejtësisë por edhe në kërkim, edhe me nga tre katër emra. Shembulli ë skandaloz është bashkia e Vorës. Dhe ka falimentuar. Të falimentosh Bashkinë e Vorës, ku ka më shumë biznese në Shqipëri. Me vendndodhjen më strategjike. Me të gjitha potencialet për zhvillim. Imagjino të falimentosh bashkinë e Kavajës. A mund të ma shpjegoni dot mua. Ky ishte produkti i një pushteti 100% monist dhe rilindas.

Unë duhet të theksoj se zgjidhja që bëmë dje për të mos rrezikuar në çdo rast regjistrimin e kandidatëve tanë dhe opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 14 Majit, të cilët janë zgjedhur përmes një procesi legjitim, na obligoi të bënim këtë zgjidhje që e optimizon rezultatin e opozitës së bashkuar dhe fuqizon kandidatët tanë në të gjitha bashkitë e vendit. Fitorja do të jetë historike jo thjesht përmes fuqisë së bashkimit dhe votës së ndëshkimit për të gjithë këtë korrupsion, shpërdorim të taksave të qytetarëve por edhe gjithçka tjetër që vjen pas do të jetë e rëndësishme që të hedhim themelet e një pushteti vendor afatgjatë”, u shpreh Meta.