Superliga shqiptare e futbollit është në javën e 25-të. Me fillim në 13:00 këtë të premte u zhvilluan dy duele. Në stadiumin e Kamzës, Kastrioti dhe Teuta barazuan 0-0 në një ndeshje ku kapiteni i krutanëve Karakaçi u largua me karton të kuq në pjesën e parë. Në “Kukës Arena”, vendasit e Kukësit mundën 2-0 Bylisin duke siguruar fitoren e tretë në radhë, çka i dërgon verilindorët në -3 nga zona evropiane. Në ndeshjen e orës 16:00 në “Niko Dovana”, Erzeni fitoi 2-1 me Egnatian mes spektaklit. Nesër në 17:00 luhen Tirana – Laçi dhe Vllaznia – Partizani, për t’i dhënë fund javës së 25-të në elitën e futbollit.
Në “Kukës Arena”, Kukësi vendas fitoi 2-0 me Bylisin për javën e 25-të në Superligë. Skuadra e Rraman Hallaçit ishte e vendosur më mirë në fushë, me golat që u shënuan në pjesën e dytë. Duhej minuta e 66 kur goditja nga jashtë zone e Ndrecës të devijohej me thembër nga Atdhe Rashiti për ta dërguar në rrjetë. Në të 80 minutë, kapiteni Gjelbrim Taipi shënoi golin e qetësisë. Me fitoren e tretë në radhë, Kukësi merr vendin e pestë përkohësisht me 34 pikë, tre pikë më pak se zona evropiane. Bylis me 27 pikë ka tre ndeshje pa fitore, duke mbajtur vendin e parafundit (9).
Në stadiumin e Kamzës, Kastrioti dhe Teuta barazuan 0-0 për javën e 25-të në Superligën shqiptare të futbollit. Pjesa e parë ishte e tensionuar, me kryesorin Kreshnik Cjapi që ndëshkoi me karton të kuq kapitenin e vendasve, Abaz Karakaçi. Në minutën e 41-të shkodrani mori kartonin e parë të verdhë, teksa një minutë më vonë po për një tjetër të verdhë doli nga fusha. Tensioni pushtoi fushën pas këtij momenti, me Hasanin që iu hakërrye arbitrit. Në fund skuadrat ndanë pikët, me Teutën që mban vendin e 7-të me 33 pikë. Kastrioti me 24 pikë mban vendin e fundit.
Spektakël në “Niko Dovana”. Erzeni fitoi 2-1 me Egnatian për javën e 25-të të Superligës. Shijakasit u treguan më të saktë në këtë përballje, duke dalë te tri pikët pas pesë ndeshjeve duke iu afruar me një pikë rrogozhinasve që janë në zonën evropiane. Ndeshja nisi me ritëm, teksa skuadrat ishin kërkuese. Goli i parë i sfidës u shënua nga Kahrimanovic në të 33 minutë nga penalltia. Duhej ndërhyrja e VAR që kryesori Albert Doda të drejtonte gishtin nga pika e bardhë, me shijakasit që nuk gabuan. Vetëm pesë minuta më vonë, Nonato do dyfishonte për vendasit pas një pasigurie të Sherrit në katërkëndësh. Teksa të gjithë po mendonin për pushimin, Duamena në të 45+4 mnutë shënoi për 2-1, duke hapur ndeshjen. Pjesa e dytë në “Niko Dovana” ishte spektakolare, me VAR që anulloi dy gola për pozicion jashtë loje. Si fillim Nonato te Erzeni dhe më pas Duamena te rrogozhinasit u ndalën nga VAR, që “ngriu” festat. Sulmuesi i Egnatias, Duamena në shtesë goditi edhe shtyllën, teksa edhe pas tetë minutave shtesë ndeshja mbeti 2-1. Pas pesë përballjeve pa tri pikë, Erzeni ia del të fitojë për të shkuar në kuotën e 36 pikëve në vendin e katërt. Egnatia me 37 pikë qëndron në vendin e tretë.
Superliga – java 25:
E premte
13:00
Kastrioti 0-0 Teuta
Kukësi 2-0 Bylis
16:00
Erzeni 2-1 Egnatia
E shtunë
17:00
Tirana – Laçi (Elbasan Arena)
Vllaznia – Partizani
Renditja: