Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur para takimit me presidentin Aleksandër Vuçiç në Ohër, duke thënë se ka ardhur me qëllim të mirë për të nënshkruar marrëveshje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Por ai ka shtuar se përderisa nuk ka tekst të përfunduar për planin e zbatimit, nuk mund të ketë marrëveshje.
“Liqeni i Ohrit është liqen tektonik, mirëpo është vend i qetë dhe i bukur siç po e shihni të gjithë këtu. Unë jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit për gjithë qytetarët pa dallim sepse unë jam kryeministër i të gjithëve.
Përveç se jam optimist kam ardh me qëllim dhe vullnet të mirë dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët që nuk u nënshkruam në Bruksel me 27 shkurt të vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit. Në këtë mënyrë të rrumbullaksojmë marrëveshjen për normalizim” , tha Kurti.