Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur edhe rreth iniciativës së Ballkanit të Hapur. Edhe njëherë, në një intervistë të dhënë për “KlanKosova”, kryeministri Kurti u shpreh edhe njëherë se është kundër iniciativës. Sipas tij, nuk mund ta mbështesë nismën, pasi nuk ka as një faqe uebi.
“Nuk kam qëndrim tjetër. Ballkani i Hapur, me sa e di unë as website nuk ka. Pra, është një iniciativë që nuk ka as platformë, as kontratë themelore, nuk ka as strategji, as plan veprimi. Nuk është sipas rregullave të Bashkimit Evropian, nuk e ka financimin e Bashkimit Evropian dhe unë nuk mund ta mbështes një iniciativë të tillë,”- tha Kurti.
Nisma Ballkani i Hapur është vazhdimësi e Mini-Shengenit ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Ballkani i Hapur është thënë se synon të mundësojë lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë marrë pjesë në dy takimet e fundit por ende nuk janë pjesë e saj. Kosova ndërkohë është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk e njeh nismën dhe nuk pranon të jetë pjesë e saj përpos ftesave të herëpashershme që ka marrë.