Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit ka raportuar për takimin në Ohër, të mbajtur më 18 mars 2023. Kurti shtoi se për herë të parë që nga fillimi i dialogut normalizimi i plotë nuk është pjesë e premtimeve verbale por i atyre me shkrim.
“Procesi i ri ka sjellë një marrëveshje të re, dhe jam i bindur sjell një hapje të re drejt rezultatit përfundimtar. Marrëveshja bazë për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përmban 11 nene dhe një preambulë, dhe aneksi shton 12 pika të tjera. Ja vlente mundimi sepse arritëm diçka të rëndësishme dhe të pakthyeshme”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se marrëveshja bazë konfirmon që marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës zhvillohen në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha të drejtave themelore që e karakterizojnë një shtet të konsoliduar ndërkombëtarisht, sovran dhe me integritet territorial.
“Serbia ka pranuar ta trajtoj Kosovën si anëtare të barabartë të bashkësisë ndërkombëtare. Me marrëveshjen Serbia gjithashtu është zotuar që të mos kërcënoj me përdorimin e forcës dhe tu jap fund mosmarrëveshjeve me mjete paqësore. Ajo e ka pranuar këtë megjithëse unë ende nuk do ti besoja Serbisë për këtë”, tha Kurti.
Kurti theksoi se Serbia nuk mund të pretendojë që përfaqëson ndërkombëtarisht shtetin tonë apo atë që ndodh brenda territorit tonë.
“Serbia duhet të mos kundërshtoj anëtarësimin tonë në asnjë organizatë ndërkombëtare, apo të bllokoj rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Duhet të ketë njohje reciproke të dokumenteve dhe simboleve shtetërore. Kjo është njohje “de facto” e vendosur në formë të shkruar dhe më një status të pakthyer sepse BE dhe SHBA janë garantor për përhershmërinë e saj kohore”, tha Kurti.