MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Ligji është i barabartë për këdo, o opozitarë mëkatarë…

23.03.2023 - 16:40

Kur prishen katet shtesë të një pallati në pronësi të ndonjë “oligarku”, dhe kur qeveria i tregon “dhëmbët” çdo subjekti që shkel ligjin, nisin aludimet, akuzat, dhe tjerrin lloj-lloj teorish konspirative. Edhe kur fadromat e strukturave të zbatimit të ligjit shembin ndonjë objekt pa leje buzë lumit, liqenit dhe detit, apo mes lagjeve, një pjesë e jona, turremi dhe sajojmë lloj-lloj skenarësh. Edhe së fundi, kur SPAK-u po heton ish-zv.kryeministrin për inceneratorët dhe pasurinë, i pari ka qenë Berisha që i ka dalë në mbrojtje, edhe pse deri para pak ditësh lëshonte ndaj tij lumenj akuzash. Pra, përfundimisht tek ne kush shkel ligjin “është burrë i mirë, i bien në qafë kot”. O njerëz opozitarë.

Ligji duhet të jetë i barabartë për këdo, për oligarkun, ministrin, zv.kryeministrin, kryeprokurorin, deputetin apo dhe pronarin e një televizioni. Madje ky i fundit, (kushdo qoftë) kurrë nuk mund ta mbushë hapësirën e tij televizive, duke bërë avokatin e problemeve që ka, duke akuzuar persona apo institucione që kanë lidhje me zbatimin e ligjit. Kur një objekt konstatohet me defekte ligjore, dhe kur nuk ka arritur të sigurojë lejen zyrtare për nisjen e punimeve apo ndertimin , natyrisht i mbetet ligjit të veprojë.

Ky vend, ishte mësuar të mos njihte ligjin. Shqiptarët u mësuan me shkeljen e ligjit, me premtimin se “voto për mua, dhe ndërto si dhe sa të duash”. E dimë se si u mbush Tirana, Durrësi, dhe gjithë Shqipëria me mbi 360 mijë objekte pa leje. Lokale, banesa, biznese, vila, deri fshatra turistike, u ngritën në qytete, buzë deteve, liqeneve, dhe majë maleve, u ndërtuan pa leje. Ligji famëkeq 7501, i hartuar dhe firmosur nga Sali Berisha, e futi vendin në katrahurën më fatale. Edhe sot e kësaj dite, pas afro 32 viteve nga ardhja në pushtet e atij njeriu, vendi ndjen vuajtjet, mjerimin, kusuret, dhe pasojat e një krimi të pandëshkuar.

Mund të ndërtoje, mund të zaptoje troje dhe toka ku të doje, mund të privatizoje ish-uzinat, ish-fabrikat, ish-kombinatet, ish-klubet sportive, dhe pronat e tjera të qytetarëve, dhe askush nuk mund të futej në burg. Vendi ishte kthyer në zhungël. Duhej vënë dorë me urgjencë. Dhe ai moment erdhi, kur Edi Rama erdhi në pushtet, duke marrë jo pak, por mbi 1 milion vota shqiptarësh.

Deri në 2013, ligji nuk ishte i barabartë për këdo, pasi ai favorizonte deputetët, ministrat, drejtorët dhe kryetarët e rretheve të Partisë Demokratike. Ata ishin kthyer në pazarexhinj, në sheikë, me prona, miliona në banka, dhe sot vegjetojnë akoma në pasurinë e vënë me postet që dikur kishin. Janë pikërisht ata që sot, derdhin “lotin e krokodilit” për objektet që prishen në bregdet apo mes Tiranës, pasi u duhet një shkak, për të bërë “opozitën”, por gjithçka u sfumohet rrugës. Ligji, është një term sa shkencor, aq edhe praktik, dhe nuk ka nevojë për interpretime nga njerëz që e kanë shkelur dhe përdhosur atë. Kush shkel ligjin, le të përgjigjet, kush mbron shkelësin e ligjit, le të ketë fatin e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN