MENU
klinika

Ambasadori amerikan në Kosovë

Marrëveshja në Ohër/ “Të dyja palët do të kenë përfitim të madh”

19.03.2023 - 12:43

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar të rëndësishme pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime maratonike më 18 mars në Ohër, në prani të negociatorëve evropianë.

I pranishëm në Ohër ka qenë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, po ashtu, i ka komentuar si pozitive zhvillimet e së shtunës.

“Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre obligimeve, në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës dhe rajonit”, ka thënë ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twitter.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Është e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për shkak të Kosovës dhe Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, ka thënë kryediplomati i BE-së.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, ka shtuar Vuçiq.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje. /REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë