Qytetarët e Malit të Zi votuan të dielën në zgjedhje presidenciale, proces që pritet të ndikojë në rezultatin e një votimi parlamentar në qershor, si dhe në qëndrimin e vendit të vogël të Adriatikut ndaj Perëndimit dhe lidhjeve të tij me Serbinë fqinje.
Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe janë mbyllur në orën 20:00.
Sipas Qendrës për Monitorim dhe Kërkime, deri në orën 19:00 kanë votuar 60.5 për qind e banorëve me të drejtë vote.
Milo Gjukanoviç, presidenti pro-perëndimor në detyrë, ka mbajtur poste të larta politike në vend për 33 vjet dhe po kërkon një mandat tjetër pesëvjeçar. “Këto (zgjedhje) janë një mundësi për Malin e Zi që të tregojë se mund të arrijë stabilitet politik dhe social”, u tha Gjukanoviç gazetarëve pas votimit, duke shtuar se qëllimi i tij është që Mali i Zi të bëhet pjesë e “vendeve të bashkuara të Evropës”.
Kundërshtarët e tij kryesorë janë Andrija Mandiç, kreu i Frontit Demokratik, i cili favorizon lidhje më të ngushta me Serbinë dhe Rusinë, dhe Jakov Milatoviç, një ekonomist properëndimor dhe nënkryetar i lëvizjes Evropa Tani.
Pasi hodhi votën e tij, Mandiç u tha gazetarëve se nëse ai fitonte, presidenca e tij do të krijonte “një politikë pajtimi të përqendruar te të gjithë qytetarët dhe që do të zhvillojë një luftë të fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Kundërshtarët akuzojnë Gjukanoviçin dhe Partinë e tij të majtë të qendrës Demokratike të Socialistëve (DPS) për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe për drejtimin e vendit me rreth 620 000 njerëz si çiflig te tyre personal – akuzat që Gjukanoviç dhe partia e tij i mohojnë. “Jam i sigurt se njerëzit kanë vendosur të votojnë për një Mal të Zi më të pasur, më të drejtë dhe më të bukur”, tha Milatoviq pas votimit.
Votimi i së dielës vjen në mes të një krize politike njëvjeçare të shënuar nga votat e mosbesimit në dy qeveri të veçanta dhe një grindje midis ligjvënësve dhe Gjukanoviçit lidhur me refuzimin e presidentit për të emëruar një kryeministër të ri.