Prej muajsh mediat britanike “ziejnë” me artikujt për shqiptarët të cilët udhëtojnë ilegalisht drejt Britanisë së Madhe me gomone. Aq sa edhe qeveria britanike po punon për forcimin e politikave për emigrantët e paligjshëm.
Daily Mail ka publikuar historinë e një 15-vjeçari i cili ka udhëtuar me gomone drejt Britanisë së Madhe, por është rikthyer në Shqipëri i panduar.
“Mos udhëtoni ilegalisht drejt Britanisë” – është mesazhi që i mituri jep për të gjithë bashkëkombasit e tij.
Sipas medias britanike, 15-vjeçari ka udhëtuar në gusht të vitit të kaluar me gomone. Ai ishte nisur nga Shqipëria në Belgjikë e më pas në Francë.
Nga aty, 15-vjeçari pagoi një shumë prej 4500 paundësh tek trafikantët shqiptarë për të udhëtuar me gomone nga Franca në qytetin e Doverit në Britani.
Madje, i riu nuk i kishte treguar familjes që do të shkonte në Britani. I riu u kishte thënë se do të shkonte jashtë shtetit me pushime.
15-vjeçari qëndroi për 5 muaj në Britani, teksa deklaron për Daily Mail se ishte periudha më e vështirë e jetës së tij.
“Të gjithë miqtë e mi kanë shkuar në Britani dhe punojnë atje. Ndaj dhe unë vendosa t’u bashkohesha. Prenotova udhëtimin nga Tirana drejt Brukselit në Belgjikë. Aty u mora 4500 paund borxh disa të afërmve të mi për të prenotuar udhëtimin me gomone. Akoma ua kam borxh dhe shpresoj t’ua kthej sa më parë. Gomonia ishte plot me emigrantë si unë. Kishte shumë shtetas Iranian dhe arab” – ka deklaruar 15-vjeçari për median britanike.
Emigrantët e paligjshëm janë kthyer në një shqetësim të vërtetë për qeverinë e Britanisë së Madhe. Vitin e kaluar janë regjistruar 12.301 emigrantë të paligjshëm që kanë udhëtuar me gomone drejt Britanisë.