MENU
klinika

Analiza

Negociatat Rusi-Ukrainë/ Të gjithë duan rolin e ndërmjetësit…

02.03.2023 - 17:56

Kur skadoi ora “X” dhe shpërthimet e para ndriçuan qiellin mbi Kiev, një pjesë e komunitetit ndërkombëtar u përpoq menjëherë të niste ndërmjetësimin midis Rusisë dhe Ukrainës. Ajo ishte një mënyrë për ta ndaluar menjëherë konfliktin dhe për të shmangur zgjatjen e veprimeve ushtarake.

Presidenti turk Erdogan e dënoi menjëherë ndërhyrjen ushtarake ruse në Ukrainë. Por as në prag të konfliktit dhe as pas fillimit të luftës, ai nuk u pajtua plotësisht me masat e vendeve të tjera të NATO-s në lidhje me sanksionet kundër Moskës dhe prishjen gati të plotë të marrëdhënieve diplomatike.

Përkundrazi, Turqia ka vazhduar të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me Rusinë. Dhe kjo sepse të dyja vendet po shfaqen prej vitesh si ndër aktorët kryesorë në çështje të ndryshme ku përputhen interesat e tyre. Për shembull, Ankaraja dhe Moska, mbikëqyrin respektimin e armëpushimit në Sirinë Veriore.

Ndërkohë, linjat kryesore të transportit të gazit dhe naftës ruse kalojnë përmes Turqisë. Por Erdogan ka krijuar gjatë viteve të fundit marrëdhënie të rëndësishme edhe me Kievin. Ai nuk e ka njohur aneksimin rus të Krimesë, dhe ka vepruar si një zëdhënës i kërkesave të komunitetit mysliman tatar në gadishull.

Për më tepër, Turqia u ka shitur ukrainasve dhjetëra dronë Bajraktar, një nga dronët mbrojtës më të kërkuar, dhe me të cilin ushtria e Kievit ka mundur të shënjestrojë me shumë efikasitet pozicionet ruse. Në këto kushte Turqia ka luajtur një rol udhëheqës në përpjekjet për ndërmjetësim ndërmjet palëve.

Turqia, Izraeli dhe Vatikani/ Ndërmjetësit në prapaskenë

Ajo ishte organizatorja në prapaskenë e takimeve të para në Bjellorusi midis delegacioneve ruse dhe ukrainase. 30 marsi i vitit 2022 ishte ndoshta ngjarja më e rëndësishme. Nën kujdesin e vetë Erdogan, delegacionet nga Moska dhe Kievi biseduan në Stamboll me njëra-tjetrën duke trajtuar disa nga pikat kryesore të konfliktit.

Por bisedimet u ndërprenë, kur në Buça u shfaqën varrezat masive në ditët e para të prillit. Gjithsesi, diplomacia turke ka mbetur shumë aktive në aspektin e ndërmjetësimit. Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu është takuar vazhdimisht me zyrtarë rusë dhe ukrainas.

Po ashtu Ankaraja dhe Stambolli, kanë pritur në mënyrë të përsëritur delegatë nga Kievi dhe Moska. Dhe po në Turqi janë mbajtur takime midis drejtuesve rusë të sigurisë dhe homologëve të tyre amerikanë. Por Izraeli ishte vendi i parë që u përpoq të ndërmjetësonte pas shpërthimit të konfliktit. Shteti hebre ka marrëdhënie të shkëlqyera me Moskën dhe Kievin.

Izraeli ka prej disa vitesh një marrëdhënie të ngushtë me Rusinë për shkak të çështjes siriane.

Por lidhjet diplomatike midis dy vendeve janë çimentuar nga afërsia personale midis Putinit dhe Netanjahut. Marrëdhëniet me Ukrainën kanë qenë gjithmonë të mira, aq më tepër që presidenti ukrainas Zelenski është një hebre.

Turqia, Izraeli dhe Vatikani/ Ndërmjetësit në prapaskenë

Në shkurtin e një vit më parë, në krye të vendit ishte kryeministri Naftali Bennet. Ai ishte udhëheqësi i parë i huaj që shkoi në Moskë pas fillimit të luftës për të tentuar ndërmjetësimin. Megjithatë, përpjekja ishte e pasuksesshme. Arsyet mund të gjenden në mospërputhjen e pikëpamjeve midis shtetit hebre dhe Kremlinit.

Në këtë dështim ndikuan jo pak largimi nga Moska i kreut të komunitetit hebre, i cilësuar fajtor për mospërkrahjen publike të luftës, kërcënimi i ish-presidentit rus Dimitri Medvedev për të ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike si dhe tensionet mbi Sirinë.

Por as Bennet dhe as pasardhësi i tij Netanjahu, që u rikthye në pushtet në janar të këtij viti, nuk e kanë vënë deri më tani në dyshim neutralitetin. Izraeli nuk ka ofruar ndihmë ushtarake për Ukrainën, me përjashtim të një sasie helmetash. Dhe i është përgjigjur gjithmonë negativisht kërkesave të Zelenskit.

Burimet diplomatike kanë folur kohët e fundit për një presion më të madh të SHBA-së ndaj Izraelit për të ndihmuar Ukrainën, por qëndrimi i qeverisë izraelite ka mbetur i pandryshuar. Një shenjë se ndoshta izraelitët besojnë ende në ndërmjetësimin e tyre.

Një ndërmjetësues tjetër është edhe Papa Françesku.

Turqia, Izraeli dhe Vatikani/ Ndërmjetësit në prapaskenë

Ai e dënoi menjëherë sulmin rus ndaj Ukrainë, dhe që në orën e parë të luftës, ka bërë deklarata në favor të një rikthimi te dialogu. Një qëndrim, i cili në parim është i ngjashëm me atë që Selia e Shenjë ka pasur ndaj krizave të tjera ndërkombëtare të së shkuarës.

Por krahas thirrjeve për paqe, Papa ka nisur edhe një përpjekje diplomatike intensive. Ai promovoi dërgimin e ndihmave humanitare në territorin ukrainas, por në të njëjtën kohë ka folur për një luftë që nuk shpërtheu papritur. “Mbërritja e NATO-s deri në portat e Rusisë shkaktoi ndoshta zemërimin e Rusisë”- u shpreh ai në një intervistë.

Në dhjetorin e vitit të kaluar, Sekretari i Shtetit Pietro Parolin tha se Vatikani është i gatshëm të ndërmjetësojë mes palëve. Kontaktet midis Vatikanit dhe Moskës janë shtuar shumë në gjysmën e dytë të vitit 2022. Por në dhjetor, një incident diplomatik rrezikoi t’i komprometonte ata: Ministria e Jashtme kritikoi ashpër fjalët e Papës për krimet e supozuara të kryera në Ukrainë nga burjatët dhe çeçenët.

Në këtë kuadër, duhet të merren parasysh edhe kontaktet e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Uashingtonit. Siç u konfirmua muajt e fundit nga këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA, Xhek Sallivan, ato nuk u ndërprenë në asnjë çast. Edhe në fazën më kritike, amerikanët dhe rusët vazhduan të mbanin hapur kanalet e komunikimit.

Një dialog që kishte si argument kryesor sigurinë bërthamore, por që në të njëjtën kohë, kishte të bënte drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë. Për më tepër, synimi i Moskës është që të dialogojë në pozita të barabarta me Shtëpinë e Bardhë, duke përftuar kështu njohjen e statusit të saj si një fuqi nga Shtetet e Bashkuara.

Në fund të vitit të kaluar, media turke raportoi mbi disa takime në nivelet më të larta në fushën e sigurisë ndërmjet delegacioneve amerikane dhe ruse. Ky është një nga sinjalet e shumta që kanë dalë mbi kontaktet e vazhdueshme mes dy palëve. Dhe ndoshta në këtë kanal, mund të ketë në të ardhmen e afërt një takim të vërtetë diplomatik, që mund të çojë në një armëpushim.

Në prag të përvjetorit të parë të luftës, Ministri i Jashtëm zviceran Injacio Kasus zbuloi ekzistencën e bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë midis disa delegacioneve. Në një intervistë për gazetën “Le Temps”, kreu i diplomacisë zvicerane nënvizoi se negociatat po zhvillohen mes përfaqësuesve jo të nivelit të lartë. Kasus specifikoi se Zvicra është ofruar si një vend neutral në favor të një negocimi. Edhe disa muaj më parë Kievi i kishte kërkuar Bernës të ndërmjetësonte me Rusinë, por Moska kishte refuzuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Serbia në prag të ultima tumit: BE-në ose Putinin

“Bild” zbardh skenaret: Kthesë historike në konfliktin e Kosovës?