Ish-kryeministrja britanike Theresa May do të publikojë një libër lidhur me abuzimin me pushtetin, në një seri skandalesh politike, sipas raporteve.
Deputetja konservatore thuhet se do të përshkruajë në libër edhe fatkeqësitë në Hillsborough dhe Grenfell Tower, si dhe rastin Daniel Morgan në një publikim të ardhshëm letrar.
May ishte në detyrë në kohën e zjarrit në Grenfell dhe ishte e përfshirë në krijimin e një paneli për të shqyrtuar vrasjen e pazbardhur të Morganit, ndërsa ajo shërbente si sekretare e Brendshme në 2013.
Libri është blerë nga kompania botuese ”Headline” dhe është planifikuar të botohet në vjeshtë, sipas ”The Bookseller”.
I titulluar ”Abuzimi i Pushtetit” (”The Abuse of Power”), ai përshkruhet si “një ekspozim i zjarrtë i padrejtësisë dhe një thirrje e fortë për të ushtruar pushtetin për të mirën më të madhe”.
Në përmbledhjen e librit thuhet se “si kryeministre për tre vjet dhe sekretare e Brendshme për gjashtë vjet, Theresa May u përball me një sërë çështjesh në të cilat shpërdorimi i pushtetit çoi në rezultate shkatërruese për individët dhe dëmtoi ndjeshëm reputacionin dhe besimin në institucionet publike dhe politikanët”.
“Nga tragjeditë e Hillsborough dhe Grenfell, tek çështja Daniel Morgan dhe skandalet parlamentare, të fuqishmit zgjodhën vazhdimisht të përdorin pushtetin e tyre jo në interes të të pafuqishmëve, por për t’i shërbyer vetes ose për të mbrojtur organizatën të cilës i përkisnin”, shtohet në të.
Ish-kryeministrja argumenton për një rishikim radikal në mënyrën se si i qasemi politikës dhe jetës publike.
May thotë se “kur qëndrova në shkallët e Nr. 10 si kryeministër për herë të parë, tregova vendosmërinë time për të luftuar padrejtësitë dhe për të qeverisur jo për të fuqishmit, por për njerëzit. Gjatë periudhës sime në qeverisje, kam parë institucionet publike duke abuzuar me pushtetin e tyre duke kërkuar të mbrohen përballë sfidave në vend që të kërkojnë të vërtetën”.
“Këto ishin organet, detyra e të cilëve ishte të mbronin publikun, por ata kërkuan të mbroheshin”, thekson ajo.
“Demokracia jonë varet nga besimi i njerëzve në institucionet e tyre publike dhe politikanët. Jam e kënaqur… që po botoj këtë libër që tregon se si ky besim është gërryer me kalimin e kohës dhe pse duhet të veprojmë”, shton May.